Llixhat e Elbasanit

Fatos Baxhaku

AFER & LARG


Një jetë me squfur


Në Elbasan ka shpërthyer pranvera. Në rrugën që të çon për në Cërrik shtëpitë fshatare kanë nisur të mbulohen nga gjelbërimi i thellë. Kalojmë me radhë Kuqanin e Shirgjanin dhe kthehemi në Bathëz. Jemi nisur për në llixhat e njohura. E ndiejmë se po i afrohemi fshatit me ujëra termale. Një erë e rëndë squfuri nis të bëhet gjithnjë e më e rëndë.

Fshati që lindi nga banjat
Nga Elbasani deri në Tregan, sikurse quhen zyrtarisht llixhat, kemi udhëtuar vetëm dhjetë kilometra. Në hyrje të fshatit hasim qendrën e parë të vjetër të ujërave termale. Në vitet ’30 dy familje të njohura elbasanase, Nosët dhe Stringat, patën ndërtuar dy komplekse sanitare. Që në atë kohë kjo qendër nisi të frekuentohej si vend kurimi dhe pushimi. Fare ngjitur me to mbahen ende në këmbë disa rrënoja të vjetra. Këtu ka qenë edhe qendra e dikurshme e fshatit me dyqanet dhe zyrat.
Për fat njihemi me Jakup Preçin, 84-vjeçar. Dajë Jakupi është nga Shirgjani, një fshat ca më poshtë, por është vendosur këtu shumë herët. Ai është nga ata që kanë punuar në qendrën kurative në kohën e socializmit. “Në kohën e sezonit - na thotë - këtu mblidheshin afër 400 veta. Duhej që më parë të ishe i pajisur me raportin e mjekut, ndryshe këtu nuk të qaste njeri. Ishte fat i madh po ta siguroje atë raport. Shumë vetë nuk linin gur pa lëvizur, me miqësi e ku ta di unë se ça tjetër që të vinin e të rrinin disa ditë këtu. Mbaj mend se paguanin 900 lekë të vjetra për dy javë. Po kishte pastërti dhe rregull. Çdo gjë ishte e kontrolluar. Këtu më përpara, bëj fjalë për kohën e Zogut, nuk ka pasur fshat të tillë si sot. Kishte pak shtëpi dhe njerëzit që merreshin me llixhat, asgjë tjetër. Pastaj kur u bë kooperativë dhe kur llixhat vazhduan të punonin normalisht, fshati u shtua ca. Pikërisht në atë kohë kemi ardhur edhe ne. Tani është krejt tjetër gjë, keni për ta parë vetë”.

Një filxhan me squfur
Era e rëndë ka nisur të na bezdisë ca. Ndonjërin prej nesh madje e zë edhe dhimbja e kokës. Fshatarët vënë buzën në gaz. “E keni sefte – thotë njëri prej tyre – po do mësoheni shumë shpejt me këtë erë. Ne nuk e ndiejmë fare, jemi mësuar me kohë. Pastaj mos u qani se dje ka rënë shi. Për ju, të ardhurit ajo bëhet e padurueshme në momentin kur rritet presioni i ajrit dhe pritet të bjerë shi. Sot jeni mirë, mos u qani”. Kjo puna “jemi mësuar” është ca e komplikuar. Vetëm këtu ku jemi, vend që i thonë edhe “llixhat e vjetra” ndodhen 15 burime me ujë të stërmbushur me squfur. Ai vjen që nga thellësitë e tokës, atje ku gjërat janë ende në gjendje të përflakur. Temperatura e ujit arrin deri në 65 gradë Celsius. Uji që vjen nga burimet me anë tubash depozitohet në disa vaska të mëdha. Prej burimeve nxirret balta, e cila ruhet një muaj, më pas ajroset për dy ditë më radhë dhe kështu është e gatshme për përdorim. Në vaskat me ujin mineral nuk duhet ndenjur më shumë se 5, maksimumi 7 minuta, përndryshe efekti i tij kurues shndërrohet në veprim vrastar. Kalimi i shfrytëzimit të llixhave në biznes privat thuajse të pakontrolluar nga pikëpamja shëndetësore ka bërë që squfuri të përhapet më lehtësisht në ajër. E pra ai është një nga lëndët më helmuese që mund të gjenden. I pastër në natyrë nuk gjendet thuajse kurrë, vetëm i bashkuar me elemente të tjera, karbonin, hekurin… Prej tij del acidi sulfurik, nga e kemi “dhuratë” shiun e famshëm acid, një nga shkaktarët më të ndjeshëm të ndotjes së sotme të natyrës në rang botëror. Squfuri në ajër rrit mundësinë e krijimit të tumoreve. Një nga pasojat e tij më të njohura është dëmtimi i nuhatjes. Kështu që ajo shprehja “ne jemi mësuar” mund të shkruhej edhe “ne na është dëmtuar nuhatja”.
Në të hyrë të fshatit kishim vënë re disa tubacione krejt të veshura me shtresa të rënda squfuri. “Unë vetë as që e kam problem fare – na thotë Haruni, një mik tjetër – madje një herë në dhjetë ditë, dy javë e pi një filxhan kafeje me atë ujë, më duket se më bën mirë”. Ka edhe kështu.

Në pritje të pacientëve
Fshati i vërtetë në fakt shtrihet në të majtë të një përroi që ndan qendrën me hotelet, të vjetrit dhe të rinjtë, nga pjesa më e madhe e shtëpive. Vetëm pak metra pas qendrës së komunës na shfaqet një tjetër pamje, me dhjetëra shtëpi e vila të mbajtura mirë, që lidhen me njëra-tjetrën me një mori tubash plastike. Me siguri duhet të jetë fshati rekord në Shqipëri për konsumin e tubave plastikë. Pjesa më e madhe e shtëpive janë shndërruar në qendra kurative private. Na thonë se në momentet më të frekuentuara, që janë vjeshta dhe pranvera, për shkak të vapës së padurueshme në verë, në këto shtëpi dhe në hotelet e qendrës mblidhen deri në 4 mijë pushues-pacientë. Çmimi për dy javë varion nga 16 mijë deri në 20 mijë lekë për person, duke përfshirë edhe ushqimin. Një e ardhur goxha e mirë për krejt zonën. E megjithatë varfëria duket se do të mbahet edhe ca kohë në këto anë. Xhelali, një tjetër vendas, na thotë: “Jemi zona më e varfër në krejt qarkun. Nuk kemi tokë, vetëm dy dynym për frymë, edhe atë që kemi e kemi fare pa ujë. Hajdeni shikoni një herë arën time se si është katandisur”. Xhelali ka qenë këpucar i kooperativës. “Kam arritur të bëj edhe këpucë me porosi”, na thotë pa e fshehur mburrjen. Por tani këpucët nuk kanë më nevojë për riparim, kështu që Xhelali, ankohet. Nga këpucar Xhelali është bërë banakier, punon në një lokal të thjeshtë që ia ka marrë me qira komunës. Varfërinë do ta hasim edhe në një dokument që do të na e vërë më pas në dispozicion kryetari i komunës. 48 për qind e banorëve e konsiderojnë veten të varfër, 76 për qind e tyre janë të pakënaqur me mundësitë e punësimit, megjithëse 70 për qind mendojnë së gjërat janë përmirësuar disi në këto vitet e fundit.

Llixhat Hidrai
Afër dy kilometra e gjysmë më larg qendrës së komunës hasim një tjetër pikë llixhash. Ky vendet quhet llixhat Hidrai. Fshati më i afërt këtu është Shelcani. Këtu ndodhen tri burime të vendosura në vijë të drejtë në një distancë prej 500 metrash. Edhe këtu i hasim ato rrjedhjet me atë ujin si sapun me ngjyrë të bardhë në të kaltër; edhe këtu era e squfurit është e padurueshme; edhe këtu hasim vaskat nga ku dalin me qindra tuba drejt shtëpive të pushimit. Në Tregan kishim hasur një qetësi gati-gati të thellë. Atë e prishin vetëm makinat në qendër dhe gratë bënin pazar te tregu i “gabit”. Këtu, përkundrazi ka gjallëri. Duket sheshit se kjo është një qendër e re. Pronarët e hoteleve po nxitojnë të bëjnë punimet e fundit. Shumë shpejt, në maj, pritet që të jetë piku i të ardhurve. Dajë Jakupi na kishte treguar se në këtë pikë, që në kohën e tij, ishin vendosur disa çadra ushtarake ku qëndronin pacientët. Tani çadrat e dikurshme janë zëvendësuar nga disa hotele të vendosur në shpatin e një kodre të butë. Në llixhat Hidrai ka 29 subjekte private me kapacitet 1500 shtretër”, thuhet në dokumentin zyrtar të komunës. Çmimet janë po ato të Treganit.

Një kryetar optimist
“Këtu kam ndërmend të organizoj gara kanotazhi”. Durim Çekrezi, për nga profesioni inxhinier mekanik, i mban sytë e mbërthyer në sipërfaqen e gjerë të ujit. Ai është kryetari i Komunës së Treganit. Jemi në anë të rrugës Elbasan-Gramsh. Një sipërfaqe e gjerë ujore shtrihet para nesh. Ai është një liqen artificial i ndërtuar këtu e mbi 30 vjet më parë. Shërben për të shuar etjen e tokave të zhuritura në piskun e vapës. Është goxha i madh, 25 hektarë dhe ka 2.7 milionë metra kub ujë. Me kryetarin rrimë një copë herë duke biseduar për të sotmen, por më shumë për të ardhmen. “Se si jemi nuk ka shumë rëndësi t’ua them unë – na thotë – atë ju e shihni vetë. Unë ju kam sjellë edhe planin e zhvillimit të komunës. Aty brenda kini gjithçka, të mirat dhe të këqijat”. Kryetarin e mundon më shumë e ardhmja e llixhave. Një strategji e detajuar e përmirësimit të tyre që nis që me marketingun, reklamën turistike, mirëmenaxhimin e ujërave, rritjen e kujdesit shëndetësor, eliminimin e ndotjeve, riciklimin e ujit, rritjen e investimeve private, të gjitha janë të shkruara në një studim të hartuar një vit më parë. “Besoj se deri në 2020-n llixhat do të jenë një qytezë fort e këndshme turistike”, thotë kryetari. Kur ndahemi marrim me vete një pjesë të optimizmit të tij. Na mungon aq shumë andej nga vijmë.

Histori me luftë
Në llixhat Hidrai jemi njohur me Ymer Tashin nga Shelcani. Ndërsa ne jemi duke biseduar për jetëgjatësinë, për të mirat, por edhe për rreziqet e llixhave nëse keqpërdorohen, me një fjalë për shëndet e për sëmundje ai vë buzën në gaz. “A e dini se si është puna more djem – na thotë – mbase juve ju duket çudi, porse unë jam i bindur që vetë Perëndia i vendos vetë disa gjëra. Po ju rrëfej historinë e babait tim, Rakipit. Ai ishte partizan në Batalionin e Shpatit, që është themeluar pikërisht te llixhat më 1943. Si kapitulloi Italia në shtatorin e 1943 me ta u bashkua edhe një italian. Askush nuk dyshoi në fillim për të, por ky na paskësh qenë tradhtar, a spiun, quajeni si të doni. Kështu që babën e tradhtuar një ditë prej ditësh e kapën gjermanët. Në shtëpi kishte gruan dhe dy fëmijë. E kanë internuar në kampin famëkeq të Dakaut. Atje ka parë tmerr me sy. I mbaj mend rrëfimet e tij. Kur është kthyer thonë që peshonte vetëm 27 kilogramë, ishte katandisur një grusht njeriu. Por edhe jetën që bëri pastaj nuk është se e pati të lehtë, si në fshat në ato kohëra, e kuptoni vetë. A e dini se sa jetoi? Plot 101 vjet. Është tamam moment për të thënë jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër. Kështu janë këto punët e shëndetit”. Vetëm pak kilometra më në juglindje të llixhave Hidrai ndodhet Shilbatra, një ndër fshatrat më të mëdhenj e më të vjetër të komunës. Ndryshe nga fshatrat që kemi lënë pas, këtu e ndiejmë vërtet që jemi në një krahinë të vjetër, në Shpatin e Poshtëm. Disa ndërtime të vjetra mbahen ende në këmbë dhe sheshi i fshatit me shkollën dhe me xhaminë është i mbushur plot me njerëz. Trokasim në derën e Shaban Jollës, 87-vjeçar. Plakun e gjejmë në oborrin e shtëpisë së tij teksa i gëzohet diellit pranveror i rrethuar nga nuset dhe nipat e tij të shumtë. Ai është nga ata që e ka jetuar “aventurën” e llixhave që në krijim. “E mbaj mend mirë atë kohë – thotë - im atë më thoshte se në kohën e Turqisë nuk ka pasur asgjë atje vetëm një han, një dyqan si punë kafeneje dhe asgja tjetër. Në kohën e Zogut u ndërtuan hotelet dhe filloi të vinte gjindja që nga Elbasani. Kishte edhe nga ata që vinin thjesht për piknik dhe banin banjë me ujin e llixhavet. Po aty rrinin dhe xhandarët për të ruajtur qetësinë. Në atë kohë baba im ishte pojaku i fshatit. Mbaj mend që muhabeti që bëhej më shumë ishte sherri që patën me njëri-tjetrin Ahmet Zogu dhe Shefqet bej Vërlaci. U bë zhurmë e madhe asokohe. Pastaj erdhi Italia. Kjo kishte qëllu punëtore e madhe fort. Në kohën e saj kishte qetësi dhe u hapën shumë fronte pune. Ajo hapi rrugë e ngriti ura. Në kohën e gjermanit më ka ndodhë një fatkeqësi. Im vëlla, dy vjet më i vogël se unë, doli partizan. E mbaj mend një herë, kur pas një prite që i kishin bërë një autokolone kishin gjetur shumë veshmbathje. Kishte veshur edhe ai një jelek gjerman. Tim vëlla e kapën diku afër Urës së Shkumbinit. Nuk e morëm më vesh se ku përfundoi. U tha që e internuan, por ai nuk u kthye më. Në shtëpi kemi pasur edhe dy italianë. I thërrisnim Poli dhe Xhixhi. Nuk e di se përse, mbase ngaqë u trembën fort nga gjermanët, një ditë prej ditësh ata ikën pa na lajmëruar. Kurrë nuk e mësuam se ç’u bë me ta”.

Një ëndërr e këputur
Në cepin e një dhome shohim një djalë të ri të mbuluar deri në grykë, që rri pa lëvizur me sytë e gozhduar nga televizori. Është Ervisi, 18-vjeçar, nipi i Shabanit, prej shumë vjetësh është i gozhduar në shtrat, i mbërthyer keq nga distrofia muskulare. Nuk arrin të lëvizë asnjë gjymtyrë, vetëm sytë i rrotullon shpejt, aq shpejt sa që duket sikur me anë të tyre do të bëjë të gjitha punët që një normal i bën me pjesë të tjera të trupit. Ervisi është djali i parë i Flamurit, të birit të Shabanit. Në fillim ka qenë krejt normal. E ëma na tregon një fotografi të bërë në oborrin e shkollës prej nga na shikon një djalosh fort i këndshëm. “Por andej nga klasa e dytë apo e tretë nisi të japë shenjat e para të sëmundjes – thotë e ëma – gjymtyrët nisën të mos i binden dhe djali rrëzohej shpesh. Asnjë përmirësim nuk ka pasur me gjithë shtrimet e gjata në spital. Kështu, për ne dhe për të nisi lufta e gjatë me sëmundjen”. Ervisi është shumë i pasionuar pas futbollit. Ai është tifoz i Interit të Milanos. Kur luante me shokët në oborrin e shkollës ëndërronte të bëhej portier. Tani ekrani i vogël i televizorit është miku i tij më i madh. Ervisi ka nevojë për ndihmë, një karrocë invalidësh me të cilën dilte deri në oborr ka kohë që është bërë fije-fije. Teksa ndahemi me djalin “e ngrirë” na kujtohen edhe një herë fjalët e atij burrit, babai i të cilit ndonëse i internuar në Dakau, kishte jetuar plot 101 vjet. “Nganjëherë vetë Perëndia e vendos që të jetë kështu”, na pat thënë ai vetëm pak orë më parë.

Gjatë të gjithë udhëtimit na kanë shoqëruar dy mësues vendas, Hajdari dhe Islami. Ata japin mësim në Shilbatër. Kanë dëshirë t’ua shohim shkollën e tyre. Në këmbë të xhamisë së re në disa klasa të hapura rishtazi, fëmijët po mësojnë të përdorin internetin. Zbaviten teksa nisin të hyjnë pak nga pak në një botë të panjohur. Mbase edhe këtë e kanë pasur parasysh ata të anketuarit, 70 për qind e të cilëve mendonin se jeta është “disi më mirë”. Jashtë në oborr të tjerë fëmijë po luajnë mbi një gërmadhë të lartë metalike. Atyre në majë me siguri u duket sikur e kanë pushtuar tashmë kalanë e tyre.