Ndër vende të Ishmit

Bën ftohtë, porse një diell vezullues dimëror ka nisur t’i ngrohë disi kodrat rreth Durrësit. Për disa kohë i gëzohemi rrugës së re automobilitiske të Gjirit të Lalzit. Dikush prej nesh i kujton ende fort mirë ato rrugët e shkreta që lidhnin këto anë deri para pak kohësh. Porse kënaqsia e të udhëtuarit mbi një xhade të re shuhet shpejt, sapo kemi lënë pas kthesën që të shpie në pikën turistike. Vazhdojmë rrugën drejt duke depërtuar nëpër disa kodra të larta. Tani rruga është vështirësuar. Një asfalt i vjetër mbahet edhe për pak kilometra, pastaj ia lë vendin një shtegu të përzier mes baltës, shtufit të shtypur dhe një kalldrëmi të dikurshëm. Poshtë, në këmbët tona, shtrihet një fushë e gjerë që ka nisur të mbushet me ndërtime të reja. Pas saj vjen një pyll i dendur pishash dhe krejt në horizont Adriatiku i pamatë. Po ndjekim rrrugën që të çon drejt Kepit të Rodonit në anë të Adriatikut. Kemi nisur të depërtojmë në komunën e Ishmit, në pikëpamje kishtare në famullinë e Bizës.

“Të vjetër” sa nuk mbahet mend
Nga Durrësi deri në Bizë, atje ku është qendra e famullisë, kemi bërë 45 kilometra. “Sa mirë që ju mbajti koha, se me këtë makinë të ulët nuk do të mund të ishit ngjitur deri këtu”, kjo është shprehja e parë e një fshatari që takojmë në oborr të kishës. Kisha e Shën Kollit është e vendosur majë një kodre nga ku hapet një panoramë e gjerë. Nga Veriu, poshtë nesh, është Patoku dhe derdhja e Ishmit, nga i cili e ka marrë emrin e gjithë krahina. Akoma më në Veri shikimi shkon deri në Shëngjin e Velipojë. Miqtë tanë na thonë se në kohë krejt të kthjellët që këtej duken dritat e Ulqinit. Në të majtën tonë shtrihet gjiri i gjerë i Lalzit dhe nga Lindja duken fare mirë, Kruja, Mali i Skënderbeut, ca më tutje Dajti…

Kisha e Shën Kollit nuk është shumë e madhe. Këtu dhe në rrethinat e Bizës kanë ekzistuar disa prej kishave katolike më të vjetra në Shqipëri. Kisha e Shën Kollit, e ndërtuar, spostuar dhe rindërtuar disa herë, në 1967 pësoi të njejtin fat si simotrat e saj, u shndërrua në vatër kulture. Para fasadës së saj të rindërtuar takojmë Padër Rolandin, françeskan. Ky është një burrë i bëshëm, polak. Padër Rolandi ka hapur kofanon e makinës së tij. Po bëhet gati të shoqërojë në Durrës një grup të rinjsh. Kemi kohë vetëm sa të mësojmë se jeton në Shqipëri dhe se në Bizë është famullitar që prej një viti. Shumë shpejt jemi miqësuar edhe me Engjëll Gjikën, kujdesatrin e kishës. Meqë padër Rolandi është fort i zënë dhe meqë Engjëlli ikën të kërkojë ndonjë të moshuar të fshatit, kemi kohë që të rrëmojmë një copë herë në shënimet që kemi marrë me vete. Padër Viktor Volaj nga Shiroka (1910-1995) ka qenë famullitari i fundit në këto anë deri sa u mbyllën kishat në 1967. Vetëm pas vdekjes së tij u botuan disa shënime historike mbi pjesën katolike të krahinës së Ishmit. “Banorët e kësaj famullie – shkruan ai – mund të ndahen në dy grupe: na banorë vendas dhe të ardhun. Si të ardhun janë malsorët e malsisë së madhe, të cilët banojnë në Rrotul, në Kodër-Rekë dhe në Negël. Pjesa tjetër, që nap o I quejmë si vendas, megjithëse shumëve prej tyne u dihet origjina, banojnë në Bizë, në Draç, Shën Pjetër, Rrotull, Kodërlaç, Shkallë dhe Hamalle, dhe një vllazni, Gjiplakët, në Shetaj (Muzhli i relacioneve të shekullit XVII). Vëllaznia ma e madhe asht ajo e Bushëvet, gjithsej 12 familje, që banojnë në Bizë, me përjashtim të dy shtëpive, që në kohë të vona, kanë zanë vend në Rrotull. Këta e kanë origjinën prej Vinjalli (Kurbi)… Mbas tyne vjhen familja e Brahimvet, të arhdun prej Shkrete (Kurbi), të cilët banojshin në Bizë, por që ma vonë u shpërndanë në Drraç e në Shën Pjetër… Një tjetër vllazni janë Çerrët, që kanë një përmbiemën pse ma përpara u quejtën Gjikaj, edhe këta prej Vinjallit. Sot këtë emën e barin nipat e tyne (nipa bijash)…”. Askush nuk di ta thotë me saktësi se kur u vendoën në këto anë këta banorë prezenca e të cilëve dokumentohet të paktën që në shekullin XVII. Të jenë larguar nga Kurbini prej gjakmarrjes, për ti shpëtuar islamizimit, apo thjesht për të braktisur shkrepat e tyre me pak tokë? Një gjë është e sigurtë këta njerëz, në pragun e kishës së të cilëve po qëndrojmë, janë pasardhësit e asaj popullsie të vjetër që pa përjetuar epopenë 25-vjeçare të Skënderbeut. Prej këndej Kruja është afër dhe bregdeti që shohim poshtë nesh ishte e vetmja dalja e lirë e Skënderbeut dhe e arbërve për në Adriatik.

Vetë Kisha e Shën Kollit nuk ka një datë të përcaktuar të ndërtimit të saj, ndonëse një kishë e Shën Kollit është e dokumentuar në lagjen Qullëz të Bizës, dhe jo në qendër të fshatit ku ndodhet edhe sot. Dokumente më të vonshme të kishës e dëshmojnë ekzisencën e saj në fundin e shekullit të XIX-të. “Qela e përparshme ishte ba, të thuesh e pabanueshme. Me ndihmën që mblodhënnë popull, dhe më një ndihmë që më dha ma vonë Provincialati (lekë 15.000) u ndërtue një përdhese 10X4 metra. Kjo qe nda me trinë e me baltë në oda, me një rruginë t’errët në mjes, me dyer të vjetra, pa brava e pa reze, pa nevojtore. Dhomkat qenë tavanue, por rrugina pa tavan e pa shtrojë: dhoma e zjarrmit e pa shtrueme, pa dritë të mjaftueshme”, kështu e ka nisur punë e tij si meshtar në Bizë në dimrin e 1959.

Regjistrat e famullisë u dogjën gjatë një ngjarjeje të largët fort të trishtuar. Në verën e 1914, në kulmin e lëvizjes së Haxhi Qamilit, pikërisht në këto anë kalonte fronti i luftës civile mes malësorëve katolikë dhe fshatarëve të rebeluar. Që prej disa kohësh në këto anë ishin vendosur edhe malësorët nga Malësia e Madhe të komanduar nga Dedë Coku. Pleqtë e sotëm të këtyre anëve më vonë do të na rrëfejnë për një farë Haxhi Çira nga Burizana, i cili na paskësh qenë dhëndërri i Haxhi Qamilit, pas disa diskutimeve të ashpra me të, ka krisur pushka. Malësorët kanë djegur Likmetën (qendrën e sotme të komunës). Në shenjë hakmarrje forcat e komanduara nga Haxhi Qamili dogjën të gjitha fshatrat rreth e rrotull ku banonin katolikët. Me këtë rast janë djegur edhe kisha e Shën Kollit së bashku me regjistrat e saj të vjetër.
Asgjë nuk pipëtin në oborrin e kishës. Vetëm një bari kalon me tufëne tij të dhive në rrugën aty pranë. Ja ku po vjen drejt nesh Engjëlli, kujdestari i kishës. Me sa duket e ka gjetur ndonjë të moshuar.

Histori të vjetra e të reja
Në qendër të Bizës, jo fort larg kshës, ndodhet një dyqan-lokal. Nga brenda dëgjojen zëra burrash që diskutojnë me zjarr për diçka që nuk arrijmë ta kuptojmë. Nuk shkon shumë dhe burrat që po bënin “potere” prezantohen me ne. Më i moshuari prej tyre është Ndre Kurti, në prag të të 80-tave. Bashkë me është edhe Lazër Cani, i zoti i lokalit-dyqan dhe Bardhok Çerri. Të tre janë nga familje të vjetra katolike të Bizës.

Ndreu, baba i 7 fëmijëve, është një plak i mënçur që nis të flasë pasi na ka dëgjuar më parë mirë e mirë dhe pasi na ka pyetur se ku punojmë, përse kemi ardhur, si i kemi nga shtëpitë dhe pyetje të tjera të ngjashme. Ai ka punuar 22 vjet si druvar, flet nga pak për të gjitha, për lidhjet e banorëve me detin, për, kishën, për shkollat, për gjëra të vjetra e të reja. “Me detin kemi qenë fort të lidhun. Ne e kemi atë aq afër. Mbaj mend që fëmijë, shkonim me bagtëitë në fushat poshtë dhe përfunodnim në det. Në Gjirin e Rodonit vinin anijet për t’u ngarkuar me drrasa ose me qymyr. Ne, të vegjël sikurse ishim, hidhehsim nga anijet dhe kalonim në zhyt poshtë tyre. Mbaj mend frikën që kisha kur kurrizi më takonte në fundin e anijes. Po edhe peshkim kemi pasë bërë më përpara, gjuanim me perzivol. Me detin kemi qenë të lidhun, dhe shumë herë ia kemi parë të mirën, por edhe ai kërkon të jesh I kujdessshëm. Pas ’90-tës e mbrapa shumëkush vuajti prej pakujdesisë. Shumë vetë janë lënduar, kanë lënë duar a këmbë duke gjuajtur me dinamit. Para pak kohësh u mbytën madje babë e bir në një ditë”. Ndreut i pëlqejnë historitë e vjetra. E pyesim nëse është e vërtetë ajo historia sikur këta kanë zbritur dikur këtu që nga Kurbini. “Të parët tanë kështu na kanë pasë thënë. Ne, fiset e vejtra të Bizës, me origjinë jemi kurbinas, por kjo ka ndodhur që në kohë që nuk mbahen mend, mbase që në kohë të Skënderbeut. Në shtëpitë tona, brez mbas bezi janë treguar historit të asaj kohe. Edhe kanunin që kemi pasur e keminjëosj me atë që zbatohet në Kurbin, që i thonë Kanuni i Skënderbeut. Kokë Malçi, një njeri fort i njohur në Kurbin sa i takon kanunit, është po aq i njohur edhe në zonën tonë”.

Ndreu e mban mend fare mirë kur u mbyll kisha e Shën Kollit në 1967. Nuk duket të jetë i tronditur edhe aq shumë kur kujton atë kohë. “E di si është puna thotë – edhe fetë janë disi të ngjashme me partitë. Padre Volajn e kam njohur edhe vetë. Edhe këto priftërinjtë që kanë ardhur pasi u rihap kisha. Të gjithë janë burra të mirë, nuk kam se sit a mohoj, porse prfiti apo hoxha është njeri sit ë gjithë ne të tjerët, shtëpiaz e zotit, kisha apo xhamia, këto po janë të shenjta dhe nuk duhet të preken. Të tjerët janë kalimtarë”.

Historitë e vjetra kalojnë shpejt biseda kthehet sërish te haallet e sotme. Të tre miqtë tanë i hyjnë një diskutimi të gjatë për disa prona që nuk janë ktyer ende. Dikush përmend edhe padrejtësistë që janë bërë mbi kurrizin e kudnërshtarëve politikë. Fare afër fshati shtrihet fuashe gjerë e lalzit, aq e lakmuar nga ndërtuesit e rinj të industrisë shpërthyese turistike. “Sido e për çfarëdo që të shkruani këto tre gjëra mos i harroni: rruga, uji, dritat. Të tjerat vijnë më mbrapa. Dhe mos u kujtoni për ne vetëm kur të ketë ndonjë vaki”. kjo ishte porosia e Ndreut. Vetëm disa kohë më parë në fshat kishte vërshuar një grup i madh reporterësh. Një murgeshë e re kishte varur veten në një moment depresioni.

Një përpjekje e kotë
Andej nga mesi i bisedës, Lazri dhe Bardhoku kishin përmendur Kishëne Shna Ndout, që është e vendosur në skajin më të fundit të Kepit të Rodonit, i cili dikur quhej Bishti i Muzhlit, sipas emrit të një fshati të vjetr që dikur ekzistonte mbi gadishull. Kush e di se përse Lazrit i ishte kujtuar shoku i tij i ngushtë, vëllai i Bardhokut. Ky kishte punuar dikur si nënoficer në zonën mes Kavajës dhe Durrësit. Teksa po merrte ushqimet e ushtarëve në një tunel të gërmuar brenda Shkëmbit të Kavajës mbeti i varrosur nga një shkëmb i madh që u shkëput papandehur. Kjo ka ndodhur në 1998. “Bashkë me të e kishim zakon që shkonim deri te kisha e vjetër dhe te porti i Skënderbeut. Merrnim pak bukë me vete dhe shkonim atje e kalonim ditën. Kënaqeshim, ishim shokë të ngushtë, njësoj si vëllezër. Që kurse vdqia ai aq tragjikisht unë nuk kam shkelur më në atë vend, nuk më bëjnë më këmbët”. Kjo ndodhi na e kishte shtuar lërëshërinë që të shkonim deri në fund të kepit, matanë fshatit Shetaj. Miqtë tanë shikojnë me tishti nga makina jonë, pasatj tundin kokën: “Nuk shkoni dot me të, rruga është edne shumë e dëmtuar”. Pastaj njëri prej tyre pyet si për ta lehtësuar nga barra e hezitimit: “Po a keni qenë një herë më parë? Atje asgjë nuk ka ndryshuar”. Thënie me vend. Ja ku nxjerrim edhe një herë shënimet tona të vjetra.

Kepi i Rodonit në shumë raste quhet edhe “Muzhli i Skënderbeut”. Ka shumë gjasë që i gjithë territori nga Kruja deri në det, mes lumenjve Erzen dhe Mat, të ketë rënë në dorën e Gjon Kastriotit, që kurse Gjergji ishte fare fëmijë. Këtu Gjoni ndërtoi skelën e tij, Shufadanë. Kjo ishte e pavarur nga Venediku, i cili, ndërkohë kishte në zotërim skelat e Durrësit dhe Lezhës. Skënderbeu rindërtoi pranë skelës një fortifikim të fuqishëm për kohën. Për ndërtimin e mureve të larta, punuan mjeshtra nga Raguza.

Fare afër kalasë së Rodnit, ndodhet kisha e Shna Ndout, një pikë e përheshme pelegrinazhi për banorë të të dy besimeve për krejt zonën. Sidomos më 13 qershor të çdo viti sheshi para kishës mbuhset plot nga besimtarët që vijnë nga të gjitha anët. Kisha duketse I është kushtuar në kohën e ndërtimit të saj (shekulli 14) Ngjitjes së Shën mërisë në Qiell, por kisha e vogël, rrënojat e së cilës u ruajtën deri vonë brenda një zone ushtarake rreptësisht të ndaluar, mori emrin e Shna Ndout. Fare afër saj ka ekzistuar një kuvend i klarisave, versioni femëror i françeskanëve. Vitet e fundit u bënë punime restauruese në kishëne vjetër. Në dyshemenë e saj studiuesit gjetën tre skelete: një femër që shtrëngonte në gji skeletet e dy fëmijëve të vegjël. Sulejman Dashi, specialist i vjetër i fushës, ka hedhur mendimin se skeletet i përkasin Mamicës dhe fëmjëve të saj. Mamica, motra e Skënderbeut, kishte mbetur vejushë që kurse bashkëshorti i saj Muzakë Topia u vra nga osmanët në Berat në 1450. Asokohe ishte zakon që vejushat nga familje aristokratësh të strehoheshin në kuvendet e murgeshave bashkë me fëmijët e vegjël. Ndonjë epidemi shfarosëse ka bërë që të vdesin në të njetën kohë. Ka shumë të ngjarë që hipoteza të rezultojë e vërtetë. i gjithë kepi dhe kishat e zonës në shpinë të tij, deri në Krujë, në Mesjetë krahina e Misies, ishin nga të preferuat e Skënderbeut.

Një kthesë në vendin e Kodrës
Për të shkuar në Likmetaj, në qendrën e komunës së Ishmit, na duhet të bëjmë një copë rrugë mbrapsht dhe të marrim kthesën në Lalëz. Në fillim zbresim dhe pastaj ngjitemi majë një kodre fort piktoreske. Një rrugë e re, e asfaltuar, na çon deri në qendër të qytezës. Na bëjnë përshtypje disa rrënoja që janë akoma krejt në anë të rrugës kryesore Një kalimtar na thotë se këtu dikur ka qenë pazari më kryesor i krejt zonës madje edhe shkolla e parë shqipe e hapur në 1913. Krejt në majë të kodrës është varri i Ibrahim Kodrës, piktorit të famshëm që jetoi në Itali, mbase ishmaku më i famshëm i të tëra kohërave. Një varr gati monumental është vendosur krejt përballë portës së një kalaje të vjetër. Ndër libra kemi lexuar që ky fortifikim rrënjët i ka që në antikitet, porse ne shohim vetëm disa fragmente muresh të një ndërtimi tipik të kohëve osmane. Brenda kalasë janë edne gjashtë shtëpi të banuara. Heshtja është mbreti i vërtetë i këtyre anëve. Qetësinë e prish vetëm ndonjë furgon apo autobus që ka nisur të sjellë lart njerëzit që kanë qenë për punë në Durrës apo në Sukth. Në qendër, ndër të paktët njerëz që lëvizin janë punëtorët majë disa skelave. Po ndërtohet xhamia e re në Likmetaj. Në një kafe afër xhamisë rrufisim nga një kafe të shpejtë. Në televizor po ritransmetohet debate i një nate më parë. Fytyra të egërusara poltikanësh dhe portrete serioze e të menduara analistësh i lënë vendin vazhdimish njëri-tjetrit. E dimë se shumë shpejt, sapo të kthehemi, nuk do të kemi më aq qetësi sa jetuam në vendlindjen e Ibrahim Kodrës

(Për realizmin e këtij reportazhi u përdorën materiale nga: P. Viktor Volaj, OFM, Famullia e Bizës, Gjakovë 2005; Kristo Frashëri, Skënderbeu, Toena, Tiranë 2002. Autori falenderon përzemërsisht zotërinjtë Gjergj Vlashi dhe Gëzim Kabashi për ndihmën e dhënë).