Në anët e Rrapo Hekalit

"Kjo rrugë kushedi se kur është shtruar", thotë njëri nga ne ndërsa makina kolovitet në një shteg ku "asfalti" është një dorë zift mbi shtresën e çakllit. "Më mirë të mos e kishin shtruar fare se sa e kanë lënë kështu", e përkrah shoferi duke i bërë sytë

FATOS BAXHAKU

Jemi nisur për në Hekal, fshatin e njohur të Mallakastrës. Ai ndodhet vetëm dhjetë kilometra larg nga Ballshi, kryeqendra e krahinës. Gjatë rrugës kalojmë me radhë, disa shtëpi të reja fort të këndshme, puset e pashmangshme të naftës, disa tufa me gjela deti dhe më në fund ja ku jemi në qendër të fshatit. Këtu nis të flasë historia dhe si zakonisht, kujtohen ngjarjet që kanë lidhje me luftën dhe me të vrarët. Kjo fjalë do të na dalë përpara shumë herë të tjera. Thuajse në të njëjtin vend një lapidar dhe një pllakë e thjeshtë përkujtojnë dy ngjarje që kanë ndodhur afër 100 vjet larg njëra-tjetrës. Pllaka thotë se pikërisht në këtë vend, dikur një shesh i madh, Rrapo Hekali, i pari i fshatit, mblodhi njerëzit e tij për "t‘i rënë turkut". Ishte viti 1847, koha e atyre përpjekjeve që në histori njihen si "Kryengritjet e Tanzimatit". Lapidari përbri tij kujton Luftën e Dytë Botërore. Në shkurtin e 1943-it pikërisht këtu qenka bërë e para përpjekje e armatosur mes fshatarëve të Hekalit dhe italianëve pushtues. Fshati është krejt i heshtur. Vetëm andej nga shkolla dëgjohet gumëzhima e njohur e nxënësve. Ne presim të takohemi me Godo Iljazajn, nënkryetarin e komunës. Përfitojmë nga koha për të rikujtuar ato çka kemi lexuar mbi Rrapo Hekalin, njeriun më të famshëm të këtyre anëve.

Rrapoja i vjetër

Në mesin e shekullit XIX Perandoria Osmane sapo kishte kaluar dy telashe të mëdha: rebelimet e Ali Pashë Tepelenës në Jug të Shqipërisë dhe të Bushatllinjve në Veri. Në Portën e Lartë tashmë e kishin kuptuar se një perandori aq e madhe, sa ajo e asaj kohe, nuk mund të mbahej e bashkuar duke i lejuar pashallarët e shpërndarë që nga Ballkani e deri në Kaukaz që të qeverisnin sipas qejfit. I nxitur edhe nga fuqitë e mëdha të kohës, Anglia dhe Franca, sulltan Abdyl Mexhidi shpalli një dekret i cili parashikonte përqendrimin e pushtetit, ngritjen e një sistemi gjyqësor sipas parimeve europiane, riorganizimin e sistemit të taksave dhe shërbimin ushtarak të detyrueshëm. Dekreti u quajt "Hati-Sherif i Gjylhanesë" (Dekreti i Shenjtë i Sallës së Trëndafilave). Kjo ndodhi në nëntor të 1839-s. Reformat e reja u quajtën me emrin e thjeshtë "Tanzimat" (nga arabishtja: rend, rregull).

Sulltani hezitoi disa vjet që ta zbatonte rendin e ri në Shqipëri. Vendi drejtohej nga prijësit lokalë në krahinat malore dhe nga bejlerët nëpër qytete. Në Stamboll e dinin se nuk do të ishte kollaj t‘i nënshtroje shqiptarët me anë të Tanzimatit. Këta, çështjet gjyqësore i zgjidhnin vetë me anë të pleqve të tyre, ushtarë nuk ua kishte ënda të dërgonin për një luftë që nuk ishte e tyrja, ndërsa atë punën e taksave nuk e kishin edhe aq fort për zemër. Kështu, pak nga pak, nisi të ngjizej revolta. Lufta po bëhej e pashmangshme.

Rrapo Hekali ishte pikërisht njëri prej atyre prijësve lokalë që nuk vareshin shumë nga pushteti qendror. Reformat cenonin pushtetin e tyre.

Asokohe Mallakastra bënte pjesë në Sanxhakun e Beratit. I pari i këtij sanxhaku, Hysen Pashë Vrioni, ishte treguar ndër nëpunësit më të zellshëm në zbatimin e Tanzimatit. Në verën e 1847-s mallakastriotët u mblodhën në qendër të Hekalit. Rrapo Hekali ishte i pari i tyre. Vrionasit me ushtarët e tyre dolën nga Berati dhe u përpoqën të depërtonin në Mallakastrën kryengritëse. Për tri ditë me radhë të dy palët luftuan ashpër në afërsi të fshatit Greshicë. Fshatarët e Rrapo Hekalit dolën fitimtarë. Isuf bej Vrioni dhe i vëllai u zunë rob dhe më pas u varën në Sinjë, një fshat në këmbë të Shpiragut.

Thuhet se ushtria mallakastriote e Rrapos arriti deri në 1000 vetë. Me këtë forcë të shtuar Rrapo Hekali rrethoi Beratin dhe arriti të marrë lagjet e jashtme të qytetit, por jo kalanë. Thuajse në të njëjtën kohë e njëjta pamje po ndodhte në Gjirokastër. Atje Zenel Gjoleka me kurveleshasit e tij kishin rrethuar kalanë.

Si të gjitha kryengritjet fshatare edhe kjo ishte e destinuar të dështonte. Sulltani dërgoi në Shqipëri vetë kryekomandantin e forcave në Ballkan, Mehmet Reshit Pashën, i njohur për egërsinë e tij. Ky shpartalloi në fillim kryengritësit që mbanin rrethuar Beratin dhe më pas iu kthye Kurveleshit dhe Zenel Gjolekës. Krerët kryengritës u zunë rob. Shumë u vranë ose vdiqën nëpër burgje, si Rrapo Hekali me të vëllain, Hamitin. Të tjerë u degdisën ndër vende të largëta në Anadoll.

"Mirëdita, juve jeni ata gazetarët". Kemi takuar Godon. Biseda me të na kthen edhe një herë tek e sotmja.

Nipi i dëshmorit dhe i "kulakut"

Si të gjithë nëpunësit e kësaj bote, Godo në fillim na sheh si me mosbesim. "Me se mund t‘ju ndihmoj?", na pyet prerë me atë qëndrimin që zyrtarët vendosin mes tyre dhe shtypit. Nis të qartësohet disi kur ne i themi se neve na interesojnë më shumë ato historitë e vjetra, ato "bëmat" e mallakastriotëve, pa pastaj do të ngjitemi pak edhe lart në Bylis… Megjithatë, ajo hija e mosbesimit nuk i është zhdukur ende plotësisht. Merr dikë në telefon dhe vartësi i tij paraqitet menjëherë. Por thotë se është "tmerrësisht i zënë me një kontroll të auditit që ka ardhur nga prefektura". Godo nuk ka se ç‘të bëjë. Sikur të mos na shoqërojë atëherë do të thotë t‘i binte ndesh zakonit mallakastriot. Kështu që, më në fund, i paqtuar Godo nis të flasë për historitë. Edhe ajo e të parëve të tij është fort interesante. Ajo lidhet me një ngjarje që ka ndodhur gjatë operacionit të dimrit 1943-1944. Asokohe, 10 anëtarët e këshillit NAÇL të Hekalit me në krye kryetarin, Islam Sadiku, u pushkatuan nga forcat balliste. Lufta civile mes partizanëve dhe ballistëve në këto anë ka qenë ndër më të ashprat. "Fisi ynë - na rrëfen Godo - ka jetuar në lagjen Brahim Çelebiaj. Thuhet se kanë ardhur këtu shumë kohë më parë nga Berati. Gjyshi im, Godo Kamberi, ishte njëri ndër dhjetë këshilltarët e pushkatuar. Kështu që nga kjo anë ne konsideroheshim si familje dëshmori. Por vëllai i gjyshit, Xhelo Kamberi, i përkiste krahut tjetër. Ne kemi pasur shumë tokë, ullinj, qindra kokë bagëti. Ky Xheloja nuk pranoi të dorëzonte detyrimet në shtet. Meqë këmbënguli fort e arrestuan dhe e kanë mbajtur dy vjet në burg. Vetëm rastësisht, Mehmet Shehu, që e njihte mirë që nga koha e luftës, mësoi se Xheloja ishte në burg. Mehmeti asokohe ishte ministër i Brendshëm. Ndërhyri dhe e liroi. Megjithatë, Xhelos dhe familjes së tij nuk iu hoq nofka ‘kulak‘. Pastaj, më vonë edhe një daja im bëri tetë vjet burg në Spaç për politikë. Kështu që nga kjo anë ishim ‘me njollë në biografi‘. Ne na shihnin sipas rastit, apo sipas interesit, herë si familje dëshmori e herë si familje me cen".

Në shtëpinë e Rrapos së ri

Rrapo Hekali i riu është kryetari i Komunës së Hekalit. Rrapo Hekalin e vjetër, atë të Tanzimatit, e ka katragjysh. Bashkë me Godon nisemi t‘i bëjmë një vizitë njeriut që mban një ndër emrat më të njohur të krejt Mallakastrës. Trokasim në një shtëpi që ndryshon nga shtëpitë e tjera të fshatit. Më vonë do të mësojmë se kjo godinë ka qenë deri në 1990 komanda e një reparti ushtarak. Pasardhësit e Rrapos e privatizuan duke qenë se kishin të drejtën të blinin të parët si pronarë të tokës ku ajo ngrihej.

Rrapo, kryetari, nuk ndodhet në shtëpi. Ka disa ditë që ka shkuar në llixhat e Elbasanit. Në bahçen e stërmbushur me lule dhe agrume na pret Gjinovefa, e shoqja. "Gjino", sikurse e thërrasin shkurt bashkëfshatarët, nuk e fsheh krenarinë që është nuse në një fis kaq të dëgjuar, sidomos nuk rresht së përmenduri vjehrrin e saj të ndjerë, Hysen Selfon, që është ndarë nga jeta para disa vjetësh. "Ishte burrë zotëri", e dëgjojmë të përsërisë shpesh. Gjino na vë përpara një kuti të madhe ku ruhen ende me fanatizëm foto, shkrime, dokumente, të gjitha gjërat që kanë lidhje me historinë e fisit.

"Qazim agai i Hekalit, babai i vjehrrit tim, ishte nipi i Rrapo Hekalit të parë - nis të na tregojë Gjino - ishte i pari i krejt zonës. Kishte tokë, e katandi. Gjatë luftës ishte i lidhur me Ballin. Pas kapitullimit të Italisë partizanët filluan ndjekjet. Në 1944 ata vranë Qazim aganë bashkë me një djalë 24 vjeç. Djali tjetër, Selfo, u vra në fshatin Luar të Beratit në 1944. Kështu vjehrri im kishte babanë dhe dy vëllezër të vrarë nga komunistët. Në 1945 e arrestuan edhe atë pas një debati të ashpër me Bilbil Klosin. E akuzuan për pjesëmarrje në pushkatimin e 10 këshilltarëve të Nacionalçlirimtares".

Në këtë pikë dy historitë më të njohura të Hekalit, Rrapoja dhe pushkatimi i këshilltarëve, na pleksen me njëra-tjetrën. Të ketë marrë pjesë vërtet stërnipi i Rrapos së parë në atë ngjarje tragjike? "Akuza ishte krejt e pabazë - shpejton të na shpjegojë Gjino, ndërsa Godo, nipi i dëshmorit tund kokën në shenjë pohimi - dolën dëshmitarë që u betuan se ngjarja kishte qenë krejt ndryshe. Atë e kishte organizuar një person që kishte hasmëri me njërin prej këshilltarëve. Vjehrri im as që kishte gisht fare në atë punë. Megjithatë, pas disa gjyqesh, përfundimisht e dënuan me 10 vjet burg e katër vjet internim. Unë e kam njohur në Berat ku ishte vendosur familja e tyre dhe e imja. Unë jam nga Xhindolet, bejlerë të Lushnjës, kështu që të dy familjet tona kishin miqësi të fortë. Vjehrri im ishte njeri me shumë edukatë. Kishte mbaruar Liceun e Korçës dhe më pas kishte kryer studimet e larta për Agronomi në Itali. Kanë qenë në një kohë me Mehmet Shehun. Si ‘me biografi të keqe‘ që na quanin atëherë, mua dhe burrin tim të ardhshëm, Rrapon, na degdisën në fshatrat më të largët të Beratit, në kufi me Gramshin. Po nuk mjaftoi kjo. Pasi ishim martuar, një ditë prej ditësh, na thonë të kthehemi në fshat. Këtu kemi bërë punët më të vështira. Kooperativa vetë është e vështirë, por neve na caktonin ku të ishin punët më të rënda. Mirë ne, që ishim të rinj dhe hajde se po duronim, po babai i shkretë, që ishte në moshë, ç‘kusur kishte…". Rrapo i riu ka katër djem. Fisi i Rrapos së vjetër dhe të riut asnjëherë nuk ka qenë keq për meshkuj.

Gjinoja na përcjell deri te porta e oborrit. Nga shtëpia e saj mikpritëse marrim me vete një aromë të mirë, një përzierje mes erës së limonit dhe asaj që mbajnë librat e vjetër.

Sipas zakonit kthejmë një copë herë në shkollë. Kjo mban emrin e Dervish Hekalit, një komandant partizan i vrarë në 1994. Busti i tij, i vendosur që në hyrje të shkollës, ka atë qëndrimin që u kanë veshur të gjithë të rënëve sa herë që duhet t‘i bëjnë ndonjë portret a ndonjë riprodhim të bronztë. Si të gjithë "kolegët" e tij dëshmorë edhe Dervishi ka atë qëndrimin prej njeriu që nuk ia ndien edhe aq nga vdekja. Në fund të fundit artisti ka pasur të drejtë. E përse duhet të ketë frikë nga vdekja një njeri që ka kohë që ka vdekur? Ca më tej lartësohet një lapidar i thjeshtë mbi të cilin sigurisht që janë shkruar fjalët: Lavdi dëshmorëve të fshatit Hekal. Lapidari është ndarë në dy kolona. Majtas janë shënuar emrat e 31 dëshmorëve të fshatit. Kolona djathtas ka vetëm një emër: Rrapo Hekali. Ai qëndron në krah të Dervish Hekalit. A thua do të qëndronin krah për krah njëri-tjetrit sikur Rrapo të kishte jetuar në kohën e Dervishit. Nisur nga historitë e nipërve dhe stërnipërve vështirë të thuash po. Po historia këtë punë ka, ndaj shpesh e quajnë të çuditshme.

Bylis, në thellësi të shekujve

Një grua e sheh me inat makinën tonë teksa largon nga rruga tufën e saj jo edhe aq të vogël me gjela deti. Ne i kërkojmë ndjesë, porse kjo gjë nuk e fashit aspak vellon e rëndë të inatit nga portreti i saj i ngrysur. Ne bëjmë përpjetë mbi kodrën e Gradishtës (nga sllavishtja: qytezë), drejt rrënojave të Bylisit.

Në fillim kujtojmë se mos vallë kemi bërë ndonjë gabim kur na del përpara një burrë me qëndrim prej polici të vrenjtur. "Mbaje, mbaje", thotë ai prerë njësoj sikur të kemi hyrë në ndonjë bazë ushtarake. Pastaj na zgjat biletat: "300 lekë secili". Vetëm pas kësaj e kuptojmë që burri është roja i pikës turistike. "300 lekë? Po me këtë çmim mund të shohësh një alamet muzeumi në Francë?", proteston si me veten njëri prej nesh. I themi që në Francë vërtet mund të shohësh me të njëjtin çmim gjëra edhe më të bukura, por puna është se Franca ka shumë, kurse ne si Bylisi nuk kemi edhe aq shumë. Me një fjalë është puna te marrëdhëniet mes kërkesës dhe ofertës. Shoku ynë ngre supet. Nuk duket t‘ia kemi mbushur mendjen.

Bëjmë një pushim në një lokal në hyrje të Bylisit. Ne jemi të vetmit klientë. Pronari, dukshëm i mërzitur, bën kujdes që të mos shuhet zjarri në vatër. Na thotë se puna i ka rënë fare: "Tani bëj më pak se një të tretën e punës që kam pasur më përpara. Dikur vinin turistë, kolektiva, shkolla, tani po e shihni vetë. Kam më shumë shpenzime për ta mbajtur lokalin hapur. Për fitime as që bëhet fjalë". Ai ngre supet kur e pyesim për këtë gjendje. "Mbase kjo është kriza, për të cilën flitet aq shumë", na thotë pasi është menduar pak.

Mes rrënojave të qytetit antik nuk pipëtin asgjë. Porsa ka rënë një shi i lehtë dhe grija e gurëve të vjetër ka dalë edhe më në pah. Ndërsa ecim nëpër rrënojat e nxjerra në dritë nga arkeologët e kemi të vështirë të mendojmë se 2400 vjet më parë këtu ka gëluar jeta, me njerëz që punonin, që bënin tregti, politikë, që festonin e deheshin, që shkonin në teatër, që lindnin, martoheshin e vdisnin, njësoj si ne. Në shpatin perëndimor të kodrës na bën përshtypje një godinë e vogël e blertë. Eshtë mekami i baba Azizit, një klerik bektashi që është varrosur këtu në fund të shekullit XIX. Poshtë nesh, jo shumë larg, vezullon Vjosa. Përbri saj duket fare mirë traseja e rrugës së re që do të lidhë Levanin me Tepelenën.

Gllavenica e harruar

Ballsh, nuk është gjë tjetër veçse forma e ndryshuar e emrit antik "Bylis". Një copë herë kërkojmë ndonjë librari që të tregtojë libra që lidhen me historinë e Mallakastrës, por nuk kemi fat. Arrijmë të gjejmë vetëm libra shkollorë. Për moshën tonë këta janë disi të tepërt, kështu që vendosim të shkojmë më mirë te rrënojat e kishës së Gllavenicës. Ndërsa shkojmë atje na bën përshtypje një rrugë qendrore e cila mbase ka numrin më të madh të monumenteve për metër katror në krejt Shqipërinë. Dino Kalenja, Hajredin Fratari dhe Ismail Klosi, tre dëshmorë në kohë të ndryshme, janë vetëm pak metra larg njëri-tjetrit. Në krah të tyre, tashmë të mësuar me ta (monumentet e heshtur vetëm rrallë i prishin punë njeriu) pensionistët i gëzohen diellit të vakët vjeshtak duke përplasur fort gurët e dominosë mbi kompensata.

Rrënojat e kishës së Gllavenicës (nga sllavishtja: kryevend) janë ende të rrethuara, por bari i keq i ka bërë tashmë thuajse të padukshme. Dikur ishte Petriti, kujdestari që kujdesej për to. Po Petriti ka disa kohë që ka vdekur dhe askush nuk kujtohet më për gurët e mbushur plot histori. Në vitin 863 khani i bullgarëve, Borisi, u mund nga ushtritë e Bizantit. Një nga pikat e paqes ishte pikërisht që ai dhe bullgarët duhej të pagëzoheshin si të krishterë. Pikërisht atëherë thuhet se është bërë e njohur kisha e madhe, e "Fjetjes së Hyjlindëses", rrënojat e së cilës sot janë të mbuluara nga shkurret. Vetë Shën Klementi i Ohrit, një nga shenjtorët më të rëndësishëm sllavë, mori pjesë, në përurimin e saj dhe në pagëzimin e bullgarëve. Klementi predikoi në këtë kishë deri më 893. Këtu ruhej në fillim epitafi i famshëm që njihet si "Epitafi i Gllavenicës" i qëndisur në flori prej Gjergj Arianitit dhe Kristo Gllavarit në vitin e largët 1373.

Një kishë e re është ndërtuar në krah të rrënojave. Seç krijohet një atmosferë e çuditshme teksa na përzihen të gjitha bashkë, rrënojat e vjetra të trishtuara dhe të harruara, kisha e re me ngjyrat e hareshme, dhe më larg, oxhaku i rafinerisë së naftës që nxjerr tym pa pushim.



Qyteti i bylinëve

Bylisi është themeluar rreth vitit 370 para Krishtit, ai ishte kryeqendra e Koinonit (lidhjes) së Bylinëve, një republikë e vogël që shtrihej mbi bregun e djathtë të Vjosës. Në krye të administratës qëndronte prytani, i cili zgjidhej një herë në vit. Mbledhja e përgjithshme e qytetarëve e kufizonte dhe e kontrollonte pushtetin e tij. Pranë prytanit vepronte edhe këshilli i demiurgëve, që ishin përfaqësuesit e lagjeve të qytetit. Figura të tjera të rëndësishme ishin strategu, komandanti i ushtrisë, hiparku, komandanti i kalorësisë, peripolarku, komandanti i kufirit.

Disa dekada pas themelimit, Bylisi ra nën sundimin epirot. Me vrasjen e Pirros në 272 para Krishtit, ai rifitoi sërish lirinë. Qyteti përjetoi një periudhë lulëzimi në periudhën 270-230 para Krishtit. Pikërisht në këtë kohë duket se janë ndërtuar teatri, agoraja, stadiumi, disa tempuj etj. Bylisi kishte edhe monedhën e vet. Në 229 para Krishtit romakët pushtuan Apoloninë. Bylinët ruajtën paqen me Romën. Në vitin 168 para Krishtit bylinët u lidhën me Perseun e Maqedonisë kundër Romës. Paul Emili, konsulli ndëshkues romak, pasi shkatërroi 70 qytete të Epirit rrafshoi edhe disa kështjella në Mallakastrën e sotme. Koinoni i bylinëve u shpërbë, por Bylisi nuk u prek. Ai vazhdoi të ruante një lloj autonomie duke prerë monedhat e veta. Në vitin ‘48 para Krishtit Bylisi i hapi portat Jul Çezarit në luftën e tij me Pompeun. Njëzet vjet më vonë qyteti u shndërrua në një koloni romake.

Gjatë shekujve IV-VI pas Krishtit qyteti vuajti dyndjet e barbarëve. Në Bylis u vendos edhe qendra e peshkopatës që dikur ishte në Apoloni. Rreth viti 586 sllavët dogjën, plaçkitën dhe shkatërruan qytetin. Banorët që shpëtuan, së bashku me peshkopin, u vendosën në breg të lumit Gjanica, në Gllavenicë, në Ballshin e sotëm. Shërbesat bëheshin në kishën e "Fjetjes së Hyjlindëses" të ndërtuar në shekullin VI nga Justiniani. Pikërisht këtu bullgarët pranuan krishterimin.

(Neritan Ceka, Udhëtim në kështjellat ilire, Migjeni, Tiranë 2006).

Google+ Followers