45 monumentet e natyrës në rrethin e Gjirokastrës


Rrethi i Gjirokastrës ka një sipërfaqe 1137 km2 dhe nga madhësia radhitet i 9-ti në vendin tonë, pas rrethit të Fierit

Trashëgimia natyrore e Biomonumenteve

Telnis Skuqi

Natyra e larmishme e rrethit të Gjirokastrës dhe evolucioni tepër i ndërlikuar i saj kanë kushtëzuar dukuri të veçanta, unikale të ndërtimit gjeologjik, të formave të veçanta të relievit, midis tyre edhe relike të periudhës së akullzimit të ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore të botës së gjallë e të shumëllojshme. Midis këtyre vlerave të veçanta, që përbëjnë trashëgiminë natyrore shumë të pasur të rrethit, zënë vend të rëndësishëm monumentet e natyrës

Në krahasim me shumë rrethe të tjera të vendit, rrethi i Gjirokastrës dallohet për një numër të madh të tyre, por natyra e tij e veçantë ka shumë më tepër monumente natyre sesa janë evidentuar dhe shpallur deri tani. Ato presin studiuesin, midis tyre edhe gjeografin, që t'i evidentojë, vlerësojë dhe t'i propozojë tek organet qeveritare kompetente për t'iu dhënë statusin që meritojnë. Aktualisht, në rrethin e Gjirokastrës janë shpallur 45 monumente natyre, nga këto 27 monumente natyre të shpallura para vitit 1990, ndërsa pjesa tjetër janë shpallur me vendim të Këshillit të Ministrave rreth gjashtë vjet më parë. Rrethi i Gjirokastrës shtrihet në pjesën jugore të Shqipërisë, në Krahinën Malore Jugore. Ai kufizohet me pesë rrethe, në veriperëndim kufizohet me rrethin e Vlorës dhe Tepelenës, nga veriu e verilindja me rrethin e Përmetit, nga perëndimi e jugperëndimi me rrethin e Delvinës e Sarandës, në lindje e juglindje kalon kufiri shtetëror me Greqinë. Gjatësia e kufirit arrin 181 km, i gjithi tokësor, nga i cili 55 km është me Greqinë. Rrethi i Gjirokastrës ka një sipërfaqe 1137 km2 dhe nga madhësia radhitet i 9-ti në vendin tonë, pas rrethit të Fierit.

Rrapi i Fushë-Bardhës

Rrapi i Fushë- Bardhës ndodhet në qendër të fshatit Fushëbardhë të komunës Cepo. Ai ka moshë afërsisht 250-vjeçare dhe një lartësi rreth 26 m, diametër maksimal të trungut prej 200 cm dhe diametër të kurorës rreth 40 metër. Rrapi ka gjendje mesatare vegjetative, si dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike dhe historike.

Rrapi i Zhulatit

Rrapi i Zhulatit ndodhet në qendër të fshatit homonim të komunës Cepo. Ai është i lartë 30 m, diametri maksimal i trungut 180 cm, ndërsa perimetri i tij arin 550 cm dhe i kurorës 68 m. Rrapi ka moshë afërsisht 300-vjeçare, ndërsa spikat për vlerat estetike, didaktike, turistike, biologjike dhe historike. Degët e tij kanë filluar të thahen për shkak të moshës së tij.

Rrapet e shkollës - Sheper

Rrapet e shkollës Sheper ndodhen në qendër të fshatit homonim të komunës Zagorie, pranë shkollës, në lartësinë 860 metra mbi nivelin e detit. Ato dallohen për formë rrethore të rregullt të kurorës, arrijnë deri në lartësinë 25 metra, diametri i trungut 180 cm, perimetri 580 cm, ndërsa i kurorës 50 m. Rrapet kanë moshë 180-vjeçare dhe janë në gjendje të mirë vegjetative. Gjithashtu ata kanë vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike të karakterit vendor.

Lisat e Çarrokut - Sheper

Lisat e Çarrokut ndodhen në një pllajë të veçuar në perëndim të fshatit Sheper të komunës së Zagories. Përfaqësojnë një grumbullim drurësh më lartësi të konsiderueshme e mesatare, që kanë mundur të shpëtojnë e që janë ruajtur sepse në sheshin nën hijen e tyre janë përkujtuar ngjarje historike të lidhura me Luftën Nacional Çlirimtare. Sot janë të dëmtuar, të prerë e të rralluar shumë.

Lisat e Manastirit - Nivan

Lisat e Manastirit Nivan ndodhen pranë manastirit të fshatit homonim të komunës Zagorie, në lartësinë 710 m mbi nivelin e detit. Lisat dallohen për formë të rregullt të kurorës, janë të lartë mesatarisht 17-18 m, lartësia maksimale 20 - 22 m; diametri mesatar i trungut 80 cm, ndërsa maksimali 180 cm. Ata kanë moshë mbi 200-vjeçare dhe gjendje mesatare vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike të karakterit vendor.

Rrepet e Nivanit

Ndodhen në juglindje të fshatit homonim të komunës Zagori, në lartësinë 850 m mbi nivelin e detit. Dallohen për formë të rregullt të kurorës. Janë të larta mesatarisht 25 m, ndërsa lartësia maksimale 27 m; diametri mesatar i trungut 80 cm, ndërsa maksimali 90 cm. Kanë moshë 150-180 vjeçare, gjendje mesatare vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike të karakterit vendor.

Rrapi i Ndëranit

Rrapi i Ndëranit ndodhet në qendër të fshatit Ndëran të komunës Zagorie. Dallohet për formë të rregullt ombrellore të kurorës. Arrin lartësinë 35 m; diametri i trungut 300 cm, ndërsa perimetri i tij 820 cm dhe i kurorës 72 m. Rrapi ka moshë 500-vjeçare, gjendje mesatare vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike të karakterit vendor.

Lisat e Skoresë

Lisat e Skoresë gjenden në juglindje të fshatit Skore, të komunës Pogon, në lartësinë 800 m mbi nivelin e detit. Dallohen për formë të rregullt të kurorës dhe janë të lartë mesatarisht 18-20 m, lartësia maksimale 24-25 m; diametri mesatar i trungut rreth 80 cm, ndërsa maksimali 180-190 cm. Lisat kanë moshë 150-200 vjeçare, gjendje shumë të mirë vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike të karakterit vendor.

Rrepet e Çatistës

Ndodhen në qendër të fshatit Çatistë të komunës Pogon, në lartësinë 850 m mbi nivelin e detit. Dallohen për formë të rregullt të kurorës. Rrepet janë të larta mesatarisht 15 m, lartësia maksimale 18-20 m; diametri mesatar i trungut rreth 60 cm, ndërsa maksimali 80 cm. Ata kanë moshë 120-130 vjeçare, gjendje mesatare vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike të karakterit vendor.

Selvitë e Hllomosë

Selvitë e Hllomosë ndodhen në qendër të fshatit Hllomo pranë kishës në komunën e Pogonit, në lartësinë 830 m mbi nivelin e detit. Dallohen për formë të rregullt të përzgjatur të kurorës dhe janë të larta mesatarisht 20-23 m, lartësia maksimale 30 m; diametri mesatar i trungut 40-50 cm, ndërsa maksimali 60 cm. Selvitë kanë moshë rreth 130-150 vjeçare, gjendje shumë të mirë vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike të karakterit vendor.

Rrapi i Poliçanit

Rrapi i Poliçanit ndodhet në qendër të fshatit me të njëjtin emër të komunës Pogon, në lartësinë 750 m mbi nivelin e detit. Dallohet për formë ombrellore të rregullt të kurorës. është i lartë 27 m, diametri maksimal i trungut 104cm, ndërsa perimetri i tij arrin 350 cm dhe i kurorës 46-48 m. Ka moshë 250- 280 vjeçare, gjendje mesatare vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike të karakterit vendor.

Lisat e Poliçanit

Lisat e Poliçanit ndodhen në jug të fshatit, në lartësinë 760 m mbi nivelin e detit dhe dallohen për formë të rregullt të kurorës. Ata janë të lartë mesatarisht 20-22 m, lartësia maksimale 27 m; diametri mesatar i trungut 160 cm, ndërsa maksimali 180 cm. Lisat kanë moshë rreth 200-vjeçare, gjendje shumë të mirë vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike të karakterit vendor.

Rrepet e Koshovicës

Rrepet e Koshovicës ndodhen në qendër të fshatit homonim të komunës Vrisera, në lartësinë 650 m mbi nivelin e detit dhe dallohen për formë të çrregullt të kurorës. Lartësia mesatare e tyre arin 25 m, maksimalja 32 m, diametri mesatar 70 cm, ndërsa maksimali 130 cm, ndërsa kanë moshë 250 - 300 vjeçare, gjendje mesatare vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike të karakterit vendor.

Lisi i Tërbuqit

Ndodhet në qendër të fshatit Tërbuq të Komunës Odrie. Përfaqëson një dru të vetmuar pranë kishës me lartësi 14-15 m dhe diametër të trungut rreth 70-80 cm. Pema ka një moshë rreth 100-vjeçare. Ajo dallohet për një zhvillim vegjetativ mesatar e deri diku të dobët, kurorë të rrallë e të çrregullt me degë të thyera dhe në trung vërehen zgavrime të mëdha. Vendi përreth është sistemuar e mirëmbajtur nga banorët dhe përdoret si vend çlodhës e grumbullimi. Ka vlera shkencore, didaktike e turistike, si dhe vlerësohet si monument natyre me karakter vendor.

Rrepet e Selos

Rrepet e Selos ndodhen 500 metra larg qendrës së fshatit Selo komuna Vrisera. Përbëjnë grupe drurësh, që dallohen për kurorë të çrregullt. Lartësia mesatare e tyre është 25 m, maksimale 30 m, diametri mesatar i trungut 160 cm, ndërsa maksimali 175 cm. Ata kanë moshë afërsisht 120-vjeçare, por janë janë dëmtuar nga prerjet abuzive, të cilat kanë mundësi ripërtëritje. Gjendja vegjetative është mesatare, si dhe kanë vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike të karakterit vendor.

Rrepet e Mullirit në Selo

Ndodhen pranë mullirit të fshatit Selo të komunës Vrisera. Përbëjnë grup drurësh me kurorë të çrregullt. Lartësia mesatare e tyre është 25 m, maksimale 30 m, diametri mesatar i trungut 110 cm, ndërsa maksimali 130 cm. Ata kanë moshë 140-160 vjeçare. Janë dëmtuar nga prerjet abuzive, por kanë mundësi ripërtëritje. Gjendja vegjetative është mesatare, ndërkohë që ato shquhen për vlerat estetike, didaktike, turistike, biologjike të karakterit vendor.

Pishat e Kërres

Ndodhen në krahun jugor të fshatit me të njëjtin emër të komunës Vrisera, në lartësinë 830 m mbi nivelin e detit. Pishat e Kërres dallohen për pamje të rregullt të kurorës. Lartësia mesatare e tyre arrin rreth 20 m, maksimalja 25 m, diametri mesatar i trungut 50-70 cm. Ato kanë moshë 200-210 vjeçare, gjendje vegjetative të dobët dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike të karakterit vendor.

Përralli i Bodrishtës

Ndodhet në qendër të fshatit homonim të komunës Vrisera, në lartësinë 310 m mbi nivelin e detit. Përralli i Bodrishtës dallohet për formë ombrellore të rregullt të kurorës. është i lartë rreth 16 m, diametri maksimal i trungut rreth 115 cm, ndërsa perimetri i tij arrin 370 cm dhe i kurorës rreth 63 m. Ai ka moshë 140-vjeçare, gjendje të mirë vegjetative, ka vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike të karakterit vendor.

Gështenja e Nepravishtës

Ndodhet në afërsi të fshatit homonim të komunës Libohovë. Gështenja dallohet për asimetri të theksuar të kurorës. Ajo është e lartë 20 m, diametri maksimal i trungut 150 cm, ndërsa perimetri i tij arin 480 cm dhe i kurorës rreth 50 m. Geshtenja e Nepravishtës ka moshë afërsisht 225-vjeçare, gjendje mesatare vegjetative, vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike të karakterit vendor.

Rrapi i Tranoshishtës

Ndodhet në qendër të fshatin homonim të komunës Antigone, në lartësinë 580 m mbi nivelin e detit. është i dëmtuar, me zgavër të madhe në trung, të krijuar nga zjarri. Arrin lartësinë 29 m, diametri maksimal i trungut 300 cm, ndërsa perimetri i tij 920 cm dhe i kurorës 85 m. Ka moshë 320-vjeçare, gjendje të mirë vegjetative, vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike të karakterit vendor.

Rrepet e Manastirit Stegopul

Ndodhen pranë manastirit në fshatin homonim të komunës Libohovë, në lartësinë 750 m mbi nivelin e detit. Dallohet për formë të çrregullt, e deri diku ombrellore të kurorës. Kanë lartësi 20-22 m, diametër maksimal të trungut të tyre 250 cm, ndërsa perimetri i trungut të tyre arrin 780 cm dhe i kurorave 60 m. Kanë moshë 200-210 vjeçare. Kanë filluar tharjet natyrore të degëve. Kanë vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike të karakterit vendor.

Rrepet e Këllezit

Ndodhen në fshatin homonim. Përbëjnë grupe drurësh, që dallohen për kurorë të çrregullt. Lartësia mesatare e tyre është 12-15 metra, ndërsa maksimale 17 metra, diametri mesatar i trungut 80 cm, ndërsa maksimali 170 cm. Kanë moshë afërsisht 160-vjeçare. Janë dëmtuar nga prerjet abuzive, por kanë tendencë ripërtëritje. Kanë gjendje vegjetative mesatare dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike të karakterit vendor.

Rrapi i Dhoksatit

Ndodhet në fshatin homonim. Dallohet për formë të çrregullt të kurorës. Është i lartë 21 m, diametri maksimali i trungut 250 cm, ndërsa perimetri i tij arrin 760 cm dhe i kurorës 40 m. Ai ka moshë 250-vjeçare, është i dëmtuar nga njerëzit, por ka mundësi ripërtëritje.

Rrapi i Mashkullorës

Ndodhet në qendër të fshatit homonim të komunës Çepo. Dallohet për asimetri të theksuar të kurorës. Është i lartë 23 m, diametri maksimal i trungut 125-130 cm, ndërsa perimetri i tij arin 390-400 cm dhe i kurorës rreth 60 m. Ka moshë afërsisht 200-vjeçare. Trungu i tij është i dëmtuar nga zjarri, ka gjendje vegjetative mesatare dhe dallohet për vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike dhe historike, nën hijen e tij u mblodh çeta e patriotit Çerçis Topulli. Vlerat e tij janë të karakterit vendor.

Rrapi i Libohovës

Ndodhet në qendër të qytetit dhe dallohet për degëzim karakteristik të kurorës dhe bashkimin interesant të degëve. Ai është i lartë rreth 32 m, diametër maksimal të trungut 220 cm, perimetri i tij arrin 690-700 cm dhe i kurorës 80-85 m. Ka moshë afërsisht 220-vjeçare. Kanë filluar tharjet natyrore të degëve të majës. Ka gjendje vegjetative mesatare dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike dhe historike të karakterit vendor.

Vënjat e Konckës

Ndodhen në afërsi të fshatit Konckë, të komunës së Zagories, përgjatë shpatit perëndimor të Dhëmbelit, në lartësitë 1100-1300 m mbi nivelin e detit. Përbëjnë drurë halorë (familja e dëllenjës) me trung dhe kurorë të veccantë (piramide), me lartësi mesatare 7-8 m dhe maksimale 13-18 m, me diametër të trungut rreth 30 cm e me moshë mbi 100-vjeçare. Janë bimë të rralla dhe në rrezik zhdukje. Ato kanë vlera shkencore (biologjike dhe ekologjike), kulturore, didaktike dhe turistike. Vënjat mund të vizitohen nga turistë me interesa shkencore (biologë, ekologë), por edhe nga të turistë me interesa për vlerat e natyrës.

Rrapi i Dervicianit

Në qendër të fshatit Dervician të Komunës së Dropullit të Poshtëm, numërohen 7-8 drurë rrepesh, prej të cilëve veçohet për nga përmasat, mosha e vlerat, rrapi pranë kishës në pjesën veriperëndimore të sheshit të qendrës. Rrapi ka lartësi rreth 25 metër, diametër të trungut 180-190 cm dhe perimetër të kurorës mbi 100 metër. Ai është në gjendje të mirë, me moshë 200-vjeçare, ka një zhvillim normal vegjetacioni dhe një kurorë të rregullt gati rrethore e formuar nga tri degët që dalin nga trungu. Përrreth trungut vendi është i sistemuar e i rregulluar me stola e drurë dekorativë që shërben si vend çlodhjeje e argëtimi. Monumenti ka vlera shkencore, didaktike e turistike të karakterit lokal. Për ta vizituar këtë rrap ndiqet rruga automobilistike Gjirokastër-Kakavie në kilometrin e shtatë, kthehesh djathtas, rreth një kilometër në qendër të fshatit.

Rrapi i Topovës

Ndodhet në qendër të fshatit Topovë të Komunës së Zagories, në një lëndinë të bukur e të pyllëzuar me rrepe e drurë të tjerë. Rrapi ka një lartësi 24-25 metër dhe diametër të trungut rreth 200-210 cm. Trungu ka zgavrime dhe vende të kalbura, kurorë të çrregullt asimetrike, të vendosur në dy kate për shkak të degëzimeve të shumta e të çrregullta.

Kanioni i Piksit

Ndodhet pranë fshatit Fushëbardhë, përgjatë luginës së përroit Homonim. Ky përrua e ka formuar luginën e tij përgjatë boshtit të antiklinalit të Malit të Gjerë, duke krijuar kështu një luginë antiklinale, që vende-vende merr formën e kanionit të krijuar në gëlqerorët e kretës së sipërme. Në aspektin gjenetik ky kanion lidhet me veprimtarinë gërryese të ujërave të përroit të Piksit, si dhe me veprimtarinë e karstit. Vende-vende ai merr karakterin e një tuneli natyror. Kanioni është i gjatë rreth 100 m, i thellë rreth 60 m dhe i gjerë rreth 2-3 m. Ka shpate të thepisura dhe në të njëjtën kohë përbën një ekosistem interesant karstik me bukuri befasuese. Njëherazi dallohet edhe për botën e pasur bimore (bimë që kacavirren në shpatet e thepisura) dhe shtazore (midis të cilave dallohen sidomos dhi të egra e pëllumba të egër). Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike e biologjike), didaktike, kulturore, ekologjike dhe turistike. Vlerat e tij janë të karakterit vendor. Për të vizituar këtë monument, duhet të merret rruga automobilistike Gjirokastër-Fushëbardhë dhe pastaj vazhdohet më këmbë.

Tarraca e Ndëranit

Ndodhet në krahun e majtë të lumit të Zagories, në afërsi të fshatit Ndëran. Përfaqëson një fragment tarrace lumoro-deluviale, të formuar nga lumi i Zagories në formën e një tarrace të nivelit të tretë, në shpinën e së cilës janë depozituar: deluvione dhe koluvione të ardhura nga shpati lindor i malit të Lunxhërisë, si dhe materiale fluvioglaciale nga cirqet e lartësive të këtij mali. Ajo është e gjatë rreth 1000 m dhe e gjerë rreth 200 m. Ka shpinë me pjerrësi mbi 20-25% dhe front të thepisur, 20 m të lartë. Mbi këtë tarracë është zhvilluar një ekosistem i veçantë dhe interesant, që përfaqësohet nga një pyll i përbërë nga lajthitë e famshme të Zagories. Për mënyrën e krijimit dhe të modelimit të vazhdueshëm, si dëshmi e proceseve natyrore të periudhës së kuaternarit, ky monument merr vlera të veçanta shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike), por edhe didaktike, ekologjike dhe turistike. Vlerat janë të karakterit vendor. Për të vizituar këtë monument, duhet të merret rruga automobilistike Gjirokastër-Nivan-Ndëran.

Pylli i gurtë - Ndëran

Gjendet në afërsi të fshatit Ndëran, 1000 m mbi nivelin e detit, në frontin e tarracës së Ndëranit. Përfaqëson blloqe gurësh me forma shpesh herë të çuditshme dhe afër njëri-tjetrit, sa të lënë përshtypjen e një pylli të dendur, nga ku merr edhe emrin "Pylli i gurtë". Nën modelimin e erës dhe të erozionit janë krijuar forma të veçanta të gurëve, si: shkrepa, blloqe, shtylla ose kollona, dritare etj., me lartësi mbi 2 metra dhe të gjerë disa dhjetëra centimetra e më shumë. Pylli i gurtë ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike), didaktike, kulturore dhe turistike. Vlerat e tij janë të karakterit vendorë. Për të vizituar këtë monument, duhet të merret rruga automobilistike Gjirokastër-Nivan-Ndëran dhe pastaj vazhdohet më këmbë.

Qafa e Çajupit

Gjendet në kreshtën e malit të Lunxhërisë, përshkohet nga rruga që lidh Gjirokastrën me Zagorinë, 1536 m mbi nivelin e detit. Përfaqëson një qafë komplekse nga pikëpamja gjenetike: tektonike dhe karstike. Me gjatësi rreth 900 m e gjerësi rreth 500 m. Pranë qafës, në anën lindore, ndodhet fusha karstike e Çajupit, në të cilën shfaqet një ekosistem i veçantë i lartësive malore, me klimë dhe ajër të shëndetshëm, ujë të ftohtë dhe të pastër si kristal, botë të gjallë të larmishme bimore e shtazore. Ujërat e burimeve që dalin në rrethinën e saj dhe të reshjeve, sidomos të dëborës së shumtë, meqë nuk arrin të infiltrohet i gjithi, grumbullohet në sipërfaqe, duke krijuar ligatina, ndërsa në stinën e lagët të vitit formon edhe një liqen të vogël, i cili thahet vetëm në verërat shumë të thata. Në këto ligatina vijnë për dimërim edhe shpendë ujorë shtegëtarë. Të gjitha këto i shumëfishojnë vlerat turistike, por ajo për mënyrën e formimit dhe ekosistemet e saj ka edhe vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, biologjike), ekologjike, didaktike, kulturore. Vlerat e saj janë të karakterit kombëtar. Për të vizituar këtë monument, duhet të merret rruga automobilistike Gjirokastër-Erind-Qafa e Çajupit.

Shkëmbi i Zhejit

Gjendet në afërsi të fshatit të Zhejit të komunës së Zagories, 1300 m mbi nivelin e detit, në krah të majtë të Qafës së Çajupit. Përfaqëson një olistolit të madh me përbërje gëlqerore, të vendosur në masën e flishit më shumë argjilor. Ky bllok i madh shkëmbor është shkëputur nga masa gëlqerore në kohën e depozitimit të flishit në kushte ujore detare. I mbuluar nga flishi për një kohë shumë të gjatë, atë e nxorën në sipërfaqe proceset e erozionit. Më pas blloku gëlqeror iu nënshtrua erozionit, por sidomos modelimit karstik, që i ka dhënë një formë të veçantë, e cila dominon gjithë hapësirën përreth. Është i gjatë 200 m, i gjerë 100 m dhe i lartë 500 m. Në shpatet e tij të thepisura kanë folenë pëllumbat e egër, skifterët dhe shqiponjat. Shkëmbi i Zhejit ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike), didaktike, kulturore, ekologjike dhe turistike. Vlerat e tij janë të karakterit vendor. Për të vizituar këtë monument, duhet të merret rruga automobilistike Gjirokastër - Erind - Qafa e Çajupit dhe pastaj vazhdohet më këmbë në drejtim të fshatit Zhej.

Zhveshja e Muzinës

Gjendet në qafën e Muzinës, në afërsi të fshatit homonim, 600 m mbi nivelin e detit. Përfaqëson një zhveshje interesante gjeologjike, në të cilën radhiten pothuajse të gjitha moshat e shkëmbinjve që përbëjnë zonën jonike. Interesante është mënyra e vendosjes së tyre me rënie në drejtim të lindjes. Në këtë zhveshje interesante gjeologjike mund të studiohet përbërja litologjike e zonës tektonike jonike, vazhdimësia e moshave dhe vendosja e shtresave me pajtim apo diskordancë këndore. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike), didaktike, kulturore dhe turistike.

Dalja e magmatikëve në gëlqerorë afër Picarit

Gjendet në afërsi të fshatit Picar të komunës homonime, 500 m mbi nivelin e detit. Përfaqëson një dalje apo dritare tektonike të shkëmbinjve magmatikë midis shkëmbinjve sedimentarë në pjesën jugore të Shqipërisë. Kjo përbën edhe të veçantën e dukurisë. Këtu studiuesit kanë fushë të gjerë hulumtimesh dhe diskutimesh për të gjetur shkaqet e saj, për të përcaktuar një sërë ligjësish gjeologjike të gjithë zhvillimit dhe evolimit të albanideve. Pikërisht, për këtë arsye, monumenti në fjalë ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike), didaktike, kulturore dhe turistike.

Shembja e Zhulalit

Ndodhet në afërsi të fshatit Zhulal. Shembja ka shtrirje deri në rreth 100 m gjatësi e 100-150 m gjerësi. Përbën një formë të veçantë relievi të krijuar nga proceset e rëndesës, të kushtëzuara nga përbërja gjeologjike (prania e argjilave, mbi të cilët janë vendosur gëlqerorët e mesozoit), pjerrësia shumë e madhe e shpatit, dëmtimi i bimësisë etj. Në këto kushte të veçanta litologjike, morfologjike dhe në praninë e reshjeve të mëdha, argjilat e tejngopur me ujë u bënë shkaku i zhvendosjes së madhe, e cila me sa duket u stimulua nga erozioni i bazës së shpatit në rrëzë të tij. Pas shembjes u krijua një përzierje kaotike e materialeve, u ndryshua karakteri dhe regjimi i ujërave nëntokësore, ndryshoi ritmi dhe karakteri i proceseve pedogjenetike.

Rëshqitja e Këllezit

Ndodhet në afërsi të fshatit Këllëz të komunës së Lunxhërisë. E quajtur ndryshe nga vendasit "Gropa e bardhë", përfaqëson një formë të veçantë e interesante të relievit të krijuar nga proceset e rëndesës dhe të stimuluar edhe nga faktorë të tjerë. Përgjatë shpatit perëndimor shquhet shkëputja (pragu) tektonike, që është mbuluar dhe maskuar nga materialet e shumta gravitacionale shpatore të ardhura nga pjesët e mësipërme të shpatit gëlqeror dhe që vazhdojnë më poshtë pragut, duke mbuluar edhe sektorë të gjerë mbi zonën flishore të shpatit. Ajo ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike), kulturore, didaktike dhe ekologjike. Për të vizituar këtë monument, duhet të merret rruga automobilistike Gjirokastër- Erind-Këllëz dhe pastaj vazhdohet më këmbë.

Rrëshqitja në malin e Kaparielit

Ndodhet në afërsi të fshatit të Kaparielit, në shpatin lindor të malit. Përbën një formë të veçantë relievi të krijuar nga proceset e rëndesës në kushtet e përbërjes argjilore të formacioneve gjeologjike, të pranisë së ujit të shumtë dhe stimulimit nga faktorë të tjerë natyrorë (pjerrësia e shpateve, erozioni i përrenjëve, mungesa e bimësisë etj.) e antropogjenë (dëmtimi i bimësisë, hapja e tokave të reja, ndërtimi i veprave ujitëse etj.). E veçanta e saj është se u aktivizua dhe u zhvillua për një kohë shumë të shkurtër, duke u stimuluar nga një lëvizje sizmike mjaft e fuqishme. Ajo ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike), kulturore, didaktike dhe ekologjike. Vlerat e saj janë të karakterit vendor. Për të vizituar këtë monument, duhet të merret rruga automobilistike Gjirokastër-Zhulat-Karpariel dhe pastaj vazhdohet më këmbë.

Vithimat e Buretos

Ndodhen në afërsi të Libohovës, në shpatin perëndimor të malit të Buretos, në sektorin Libohovë-Labovë. Përfaqësojnë një formë të veçantë relievi të krijuara nga proceset e rëndesës, në kushtet e pranisë së thyerjes së madhe tektonike, (që kalon në shpatin perëndimor të të gjithë vargut Shëndëlli- Lunxhëri-Bureto) të pjerrësisë shumë të madhe të shpatit dhe në mungesë të bimësisë. Në këto kushte, nën veprimin e tjetërsimit fizik e kimik, ndodh copëtimi i vazhdueshëm dhe i shpejtë i shkëmbit. Copërat e shumta të shkëputura me forma e përmasa të ndryshme, nën veprimin e rëndesës, rrokullisen poshtë e, me kalimin e kohës, ato lokalizohen në kanale të veccantë e në disa sektorë ky proces ka përfshirë hapësira më të gjera, duke u zhvendosur në masë. Ato dallohen nga larg, si mbetje të proceseve të caktuara të dinamikës së jashtme të modelimit të relievit. Vithimat përfaqësojnë një rreshqitje me shtrirje deri në rreth 200 m gjatësi, 10-20 m gjerësi. Ato kanë vlera të veçanta shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike), kulturore, didaktike dhe ekologjike. Vlerat e tyre janë të karakterit vendor. Për të vizituar këtë monument, duhet të merret rruga automobilistike Gjirokastër-Libohovë dhe pastaj vazhdohet më këmbë drejt fshatit Labovë.

Vrimat e Konckës

Ndodhen në afërsi të fshatit Konckë të komunës së Zagories, në një territor të përbërë nga gëlqerorët e kretës së sipërme, në të cilët është i zhvilluar fuqimisht procesi i karstit. Zhvillimi i tij lidhet me pastërtinë e gëlqerorëve të kretës së sipërme; me lëvizjet e fuqishme ngritëse, që i ka dhënë zhvillim të madh karstit nëntokësor dhe ruajtjen, konservimin e formave karstike sipërfaqësore me përmasa të vogla; me morfologjinë e terrenit, që dallohet nga karakteri i sheshtë apo pak i pjerrët i tij, me reshjet e shumta, sidomos në formën e borës etj. Procesi i karstifikimit ka krijuar këtu një peizazh interesant karstik me një mori formash negative, që u ngjajnë hojeve të bletëve. Në të njëjtën kohë përbën edhe një ekosistem interesant karstik, në të cilin bota e gjallë i është përshtatur karstit dhe pasojave të tij. Për të vizituar këtë monument, duhet të merret rruga automobilistike Gjirokastër- Nivan dhe pastaj vazhdohet më këmbë gjatë shpatit perëndimor të malit Dhëmbel.

Shpella e Vanistrës (Skotinia)

Ndodhet në afërsi të fshatit Vanistër, 220 m mbi nivelin e detit. Përbën një shpellë karstike të formuar në gëlqerorët e kretës së sipërme. Është e gjatë deri në 150 metra, e gjerë deri në 10 m dhe e lartë deri në 25 m. Formon një labirinth të vërtetë me plot dredhime, zgjerime dhe ngushtim. Është e mbushur me konkrecione. Në vitet '70, kjo shpellë u dëmtua nga ndërrmarja e ujërave, e cila shfrytëzoi ujin që ndodhej me shumicë në katin e poshtëm të shpellës, duke thyer dhe shkatërruar konkrecionet prej kalciti dhe duke ulur kështu vlerat e shumta shkencore dhe turistike të gjithë shpellës. Pjesa nënujore e saj ka nevojë për eksplorime të detajuara, sepse ka ende ambiente të panjohura deri tani me vlera shkencore dhe turistike.

Gryka e Selckës

Kjo grykë me gjatësi rreth 6 km ndodhet përgjatë sektorit të mesëm të luginës së Suhës, atje ku kjo luginë ndërpret tërthor dhe ndan vargmalin Lunxhëri-Bureto. Në disa sektorë ngushtohet shumë, aq sa merr formën e kanionit. Është interesante mënyra e formimit të saj. Disa studiues e trajtojnë formimin e saj në të njëjtën rrugë, si është formuar edhe gryka e Këlcyrës. Gryka formon një ekosistem interesant të lidhur me kushtet e veçanta mikroklimatike. Ajo është shumë e pasur nga pikëpamja floristike e faunistike ku spikatin shpendët, si: pëllumbat e dallëndyshet, që i kanë dhënë edhe emrin sektorit më të ngushtë të saj, shkëmbi i Dallëndyshes.

Cirqet e Lunxhërisë

Janë forma negative të relievit akullnajor, të formuara nga veprimtaria gërryese e akullnajave. Ndodhen në lartësitë lindore të kreshtës së malit të Lunxhërisë, rreth 1600-1800 m mbi nivelin e detit. Përfshihen në grupin e cirqeve të tipit glacio-karstike, pasi, pas shkrirjes së akullnajës mbi shkëmbinjtë gëlqerorë të kretakut ku ata janë formuar, kanë vepruar edhe proceset e karstit. Sektori ku ndodhen këto cirqe është më shumë se 1 km i gjatë, ndërsa gjerësia më e madhe e cirqeve, është pak më shumë se 50-60 m.

Gurët e Gjatë

Ndodhen në afërsi të fshatit Fushë-Bardhë e Zhulat. Përbëjnë gurë me forma të veçanta në trajtën e shtyllave apo kollonave 3-4 m të larta, që dallohen nga larg. Ata janë formuar për shkak të erozionit të diferencuar në formacione me fortësi dhe shkallë të ndryshme tretshmërie. Ndodhen në terrene të përbëra nga gëlqerorë të kretës së sipërme, e me sa duket, janë të dolomitizuar. Për të gjitha këto arsye dhe për formën e veçantë, i propozojmë për statusin e monumentit të natyrës me vlera shkencore (gjeologjike dhe gjeomorfologjike), me vlera didaktike dhe turistike të karakterit lokal. Për t'i vizituar, duhet ndjekur rruga automobilistike Gjirokastër-Poliçan-Kardhiq-Fushëbardhë dhe pastaj vazhdohet rruga këmbësore.

Qafa e Dhëmbelit

Gjendet në kreshtën e malit të Dhëmbelit, të cilin e ndan nga mali i Nemërçkës; përshkohet nga rruga këmbësore që lidh Zagorien me Përmetin 1400 m mbi nivelin e detit. Përfaqëson një qafë komplekse nga pikëpamja gjenetike: tektonike dhe karstike. Është e gjatë 1100 m, e gjerë 100-200 m dhe krijohet një ekosistem i veçantë i lartësive, me klimë malore dhe ajër të shëndetshëm, ujë të ftohtë dhe të pastër si kristal e botë të gjallë të larmishme. Për të vizituar qafën duhet ndjekur rruga automobilistike Gjirokastër-Poliçan-Sheper dhe pastaj vazhdohet rruga këmbësore përgjatë rrjedhjes së sipërme të përroit të Zagorisë.

Google+ Followers