Lura, një bukuri në harresë




Infrastruktura rrugore drejt Lurës, kësaj bukurije të papërsëritshme të vendit tonë është  shumë e dëmtuar dhe krijon problem në lëvizjen drejt saj. Janë dëmtuar shumë vlera natyrore dhe kulturore, por ajo që quhet “Lurë” ka mbetur dhe ia vlen të vizitohet. Investime nga privati largpamës, duken aty-këtu si dallëndyshet që lajmërojnë një stinë tjetër,më të ngrohtë e më të begatë. Ky individ kurajoz duhet mbështetur dhe inkurajuar për t’i rikthyer kësaj natyre vlerat e humbura.
Parku Kombëtar i Lurës shtrihet në malësinë e Lurës dhe zë një sipërfaqe prej rreth 1300 ha.Territori i parkut është shumë i thyer nga një radhë përrenjsh malorë ku më të njohurit janë Seta, Uraka, Malla e Lurës. Parku shtrihet përreth malit Kurona e Lurës (2121 m). Pylli i Lurës përbëhet nga drurë gjethore e halore. Përhapjen më të madhe e ka ahu, që formon pyje të dendura me një shtrirje deri në lartësinë 1600-1700 m. Mbi ahun rritet rrobulli, pisha e zezë, pisha e bardhë. Mbi lartësinë 1700 m rritet arneni i zi dhe arneni i bardhë.

Bukuri e kësaj zone janë dhe liqenet e saj. Gjithsej në këtë zone ndodhen 12 Liqene që në gjithë Shqipërinë njihen si Liqenet e Lurës. Ndër to përmendim Liqenin e Madh, Liqenin e Zi, Liqenin e Lopëve, Liqenin e Luleve etj.
Liqenet shtrihen ne shpatin lindor, në pragun e Nezhdës së Lurës. Rol në formimin dhe ruajtjen e këtyre liqeneve ka luajtur pozicioni i tyre në shpatin Lindor.Pamje nga Lura
Mbi liqene rritet një bimësi Ujore,siç është zambaku i ujit me lulet e bardha të mëdha, të cilat në verë pushtojnë gjithë sipërfaqen e tyre duke u dhënë një bukuri të rrallë. Vlera botanike dhe ekologjike e parkut pyjor te Lurës lidhet si me pasurinë, shumëllojshmërinë dhe vjetërsinë e drurëve, shumë prej të cilave kanë moshë shekullore, ashtu dhe me liqenet akullnajore, që janë nga më të bukurat e vendit tonë.

Liqenet e Lurës janë liqene akullnajore. Malet e Lurës kane drejtim veri-jug. Malet e Lurës ngrihen ne 2250 m.
Flora dhe fauna e kësaj zone është nga më të rrallat e vendit tonë. Ariu i murmë është kafsha grabitqare gjitare më e madhe e vendit dhe që gjendet në Lurë (arrin 2 metra gjatësi,1 metër lartësi dhe ka një peshë prej 180-200 kg).
Rrëqebulli është kafshw grabitqare,që arrin deri në 1 metër gjatësi, me gëzof shumë të bukur lara-lara dhe të kushtueshëm. Ai gjendet në Lure. Zardafi është kafshë grabitqare e ngjashme me shqarthin, por me trup më të madh dhe gezof të çmueshëm dhe ngjyrë kafe të thellë. Gjendet me shumicë në Lur.
Kaprolli ose sorkadhja, është një gjitar ripërtypës dythundrak i familjes së drerëve, me trup elegant 60-70 cm të lartë, deri 130 cm i gjatë dhe me një peshë 15-25 kg. Mashkulli ka brirë të degëzuar kurse femra nuk ka brirë, gjendet në Lur.
Gjeli i egër është shpendi më i madh i familjes së fazanëve por mjaft i rrallë. Jeton në gjithë zonat kodrinore e malore të Evropës, po ashtu dhe në Lurë.
Bimësia është e shumëllojshme. Tipi i parë përbëhet nga drurë gjethe gjerë, që i lëshojnë fletët gjatë stinës së dimrit, dhe në lartësitë e mëdha nga drurët halorë të tipit subarktik. Këto janë masivet pyjore më të mëdha të Lurës si dhe të vendit.
Brezi i dushkut shkon deri ne 700-800 m dhe ne jug deri ne 1000 m. Ka disa lloje dushqesh si qarri, bulderi.

Brezi i ahut fillon nga 900-1000 m deri në kufinjtë më të lartë të pyllit, 1900-2000 m mbi nivelin e detit. Ai ka bimësi më të dendur dhe formacioni kryesor është ai i ahut, i cili ka dhe dendësinë më të madhe. Në brezin e ahut rriten dhe formacione halore dhe pikërisht pisha e zezë që formon pyje të veçanta në tokat më të varfëra, kryesisht në shkëmbinjtë magnetikë të Lurës. Përvec pishës së zezë, në këto lartësi takohet dhe bredhi i bardhë, i vetmuar ose në grupe me pyllin e ahut, por aty-këtu formon pyje më vete në Lurë, Bjeshkët e Oroshit…
Mbi brezin e ahut takohen pyjet e rrobullit dhe arnenit, qe formojnë pyjet më të përhapura të vendit tonë. Pyjet e rrobullit takohen në Lurë. Pyjet me arne kanë pamje më të kufizuar dhe takohen në malin e Runjes, Lurës, Dejës.
Vargmalet e Lurës ose siç quhen ndryshe Vargmalet Qëndrore shtrihen midis luginës së Drinit të Zi në lindje, pellgut të Matit në perëndim, luginës së Serriqes në veri dhe luginës së Zallit të Bulqizës në jug. Këta kufinj janë kryesisht morfologjike. Ata shtrihen në drejtim veri-jug, në një gjatësi rreth 75 km dhe gjerësi 20 km.
Lartësitë më të mëdha arrihen në pjesën qëndrore me malin e Dejës 2246 m dhe Kurorën e Lurës 2121 m. Nga kjo lartësi ato ulen në drejtim te veriut dhe jugut nen 2000 m.
Në kujtesën e vizitorit shqiptar por jo vetëm Parku i Lurës ka mbetur një ëndërr e bukur që pritet të rishfaqet. Shumë bukuri natyrore të vendit tonë u cënuan në këtë periudhë të gjatë tranzicioni por dhe shumë prej tyre janë ribërë me kujdesin e njësive vendore apo të vet individit. Ndërsa Lura e bukur, pret që në rrugët që të çojnë drejt saj të ribëhen e të jenë funksionale në dobi të banorëve të asaj zone dhe të turizmit të shumëkërkuar në këtë zonë. Lura është një Park Kombëtar dhe kështu kërkon një vëmëndje shtetërore nga institucionet që menaxhojnë natyrën shqiptare. Stina e verës po afron dhe parku kombëtar i Lurës përgatitet të presë vizitorët e parë.
Publiciteti për natyrën e bukur të Lurës është shumë i madh por kështu duhet të jetë edhe interesi dhe kujdesi për të vjelur të ardhura nga ky turizëm  prej pushtetit lokal apo atij qëndror. Ka shumë pika turistike që presin investime, por deri tani kanë ngelur jashtë vëmëndjes së organeve kompetente.

Kështu rrezikohet imazhi i mirë i vlerave tona natyrore, kulturore dhe largojmë investitoret dhe klientët e këtyre fushave./ATSH

Qyteti i një mbi një dritareve


Qyteti i Beratit është ngritur fillimisht si kështjellë, mbi kodrën shkëmbore me lartësi 187 m mbi nivelin e detit, në krahun e djathtë të lumit Osum, para se ky të dalë në fushën e Myzeqesë.
Rrethi i Beratit shtrihet kryesisht në një territor me reliev malor e kodrinor, me lartësi mesatare mbi nivelin e detit 455 m (qyteti 58 m). Në mjedisin natyror të Beratit dallohen: zona fushore e kodrinore e Beratit dhe e Kuçovës, mali i Tomorrit 2417 m dhe ai i Shpiragut 1218 m si edhe lugina e Osumit dhe e Tomoricës. Zona fushore dhe ajo kodrinore janë baza e zhvillimit të prodhimit bujqësor, ndërsa malet dhe luginat përfaqësojnë burime të mëdha pyjore, kullosore dhe hidrike, ende të pashfrytëzuara si potenciale të rëndësishme të zhvillimit ekonomik e mjedisor.
Përmes qytetit rrjedh lumi Osum,I cili i jep nje bukuri të veçantë këtij qyteti të gurtë.Ai e freskon në verën e tij të nxehtë dhe me ujrat e tij,ushqen bimësinë për rreth. Ai paraqet interes për bujqësinë, energjitikën, hidrogjeologjinë, ekologjinë dhe urbanistikën.Krijon rrjedhën e tij të plotë pranë Vithkuqit, vend që merret si pika e fillimit të lumit. Në basenin e Osumit veshja bimore përbëhet nga pisha, bredhi, dushku e shkurre të tjera mesdhetare. Në zonën e Çorovodës e Skraparit krijon kanione vertikale shumë të bukur, me forma të ndryshme, me thellësi deri 150 m e 15-20 m të gjera.

Historia

Berati u përket qyteteve të rrallë ku jeta fillon qysh në lashtësinë e thellë dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot. Dy çekanë guri e datojnë fillimin e jetës para Periudhës së Bronzit (2600-1800 P.Kr.). Dëshmitë arkeologjike tregojnë se në shek. VII-VI P.Kr. Këtu është zhvilluar një vendbanim paraqytetar, me punishtet e tij të qeramikës dhe me një jetë shoqërore të diferencuar. Në kufijtë e legjendës dhe të historisë, ky vendbanim thuhet të ketë qenë Orestiada e lashtë, i quajtur kështu ngaqë aty banonin një fis i pellazgëve, orestët, i pari i të cilëve ishte Oresti, i biri i Agamemnonit. Qyteti i mirëfilltë u themelua më 313-310 P.Kr. si qytet-kështjellë i Dasaretisë, i quajtur Antipatrea nga mbreti Kasandër në kujtim të gjeneralit mëkëmbës të Lekës së Madh. Ky është emri i parë i qytetit. Pas pushtimit romak në shek. II P.Kr. ai u quajt prej tyre Albanorum Oppidum (Fortesa e Arbërve). Në shek. V, nën perandorinë Bizantine, u përforcua dhe e ndryshoi emrin në Pulheriopolis (Qytet i bukur). I pushtuar nga bullgarët në shek. IX, u quajt Belgrad (Qytet i bardhë) – Berati i sotëm.
Nën zotërimin e Muzakajve, në shek. XIII-XIV, qyteti filloi të shtrihej jashtë mureve të kështjellës. Në këtë kohë Berati arrin shtrirjen më të madhe territoriale, zhvillohet dhe bëhet një qendër e rëndësishme ekonomike, tregtare, administrative e kulturore. Në 1417 qyteti pushtohet nga turqit dhe zhvillimi i tij u ul ndjeshëm, por nga fillimi i shek. XVI ai e mori veten, për tu bërë përsëri një nga qytetet më të mëdhenj të Shqipërisë. Në shek. XVII ai vazhdonte të ishte qyteti më i madh i Shqipërisë, me 500 shtëpi të shpërndara në 30 lagje dhe me 5 medrese. Berati në këtë kohë bëhet qendra kryesore ekonomike e vendit, me zhvillim të madh të zejtarisë e të tregtisë. Tani Berati ishte kryeqendra e sanxhakut të Vlorës të përbërë nga kazatë e: Myzeqesë, Tomoricës, Skraparit, Përmetit, Pogonit, Tepelenës e Vlorës. Në Berat tregtonin mallrat e tyre tregtarë të huaj. Në shek. XVIII Berati bëhet qendër e pashallëkut të madh të Ahmet Kurt Pashës. Ali Pashë Tepelena e bashkoi atë me pashallëkun e tij të Janinës dhe përforcoi muret e kështjellës. Në këtë periudhë tregtarët e mëdhenj beratas kishin marrëdhënie me Venetikun, Triesten, Raguzën, Ankonën, Korfuzin, Maltën, Aleksandrinë, Izmirin, Selanikun, Stambollin, Sofien, Nishin, Belgradin, etj. Berati përdorte dy skela: Vlorën dhe Durrësin. Ai ishte bërë kështu kryeqendër e një sistemi të madh ndërkrahinor. Tregtarët beratas kishin agjencitë e tyre në Durrës, Vlorë, Elbasan, Korçë. Tregtarët e mëdhenj shkodranë kishin në Berat agjencinë e tyre tregtare.
Berati mori pamjen e sotme në shek. XVIII dhe sidomos në shek. XIX, pas tërmetit të vitit 1851. Në fund të viteve 30 të shek. XIX Berati kishte 8000 banorë dhe si të gjithë qytetet e tjerë ruante karakterin e ekonomisë së vogël zejtare. Tashmë ishin shfaqur punishtet e tipit të manifakturave, por ende të paçliruara nga normat tradicionale esnafore. Nga mesi i shek. XIX Berati zinte vendin e dytë pas Shkodrës për fuqinë ekonomike të tregtarëve të mëdhenj, të cilët kishin korrespondentë ose agjenci në Durrës e Vlorë si edhe në Trieste, Korfuz e Maltë. Ekzistonin punishte me 5 deri 10 krahë pune dhe disa fabrika të vogla mielli e vaji. Në fund të viteve 1800 në qytet kishte 820 punishte zejtare e dyqane, duke qenë kështu qendra më e lulëzuar ekonomike, tregtare e kulturore e Shqipërisë së Jugut.
Deri në mes të shek. XX në Berat ekzistonin ende tre tregje të gjerë të cilët funksiononin rregullisht çdo të shtunë: Pazari i misrit, Pazari i bulmetit dhe Pazari i gjësë së gjallë. Tregu kishte 4 qendra kryesore: të opingarëve, të mestexhijve, të tabakëve dhe të kazanxhijve. Ekzistonte edhe tregu i ri, me 100 dyqane moderne ku përfaqësoheshin të gjitha llojet e tregtive. Për nga numri i zejtarëve Berati ishte në vend të parë; ushtroheshin rreth 23 lloj zeje. Çdo zeje sistemohej në një rrugë të cilës i jepte emrin. Deri në gjysmën e dytë të shek. XX vazhdonin të ekzistonin rrugët e: kazanxhinjve, bakërxhinjve, xhokaxhinjve, leshpunuesve, rrobaqepësve, kazazëve (qëndistarë), argjendarëve, armëtarëve, opingarëve, kujinxhinjve, samarxhinjve, etj.

Kultura

Në vitin 1961, Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Ai është qytet muze me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme për nga gjinitë, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Nga zonifikimi dhe nga përcaktimi i kategorisë së monumenteve qyteti ndahet në tri zona : zona muze, zona e mbrojtur dhe zona e lirë.
Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.
Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë :Kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. Me themelet e saj ilire, e rindërtuar disa herë në shekujt VI, XIII, XV dhe XIX ajo është sot jo vetëm një nga kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv i gurtë që ofron varietete stilesh dhe kontributesh të epokave të ndryshme : ilire, romako-bizantine, shqiptare e turke. Kështjella është pjesë e legjendës së vjetër e të bukur të Tomorit dhe Shpiragut.
Ura e Goricës është një nga monumentet e kulturës dhe të arkitekturës së Beratit dhe njëkohësisht një nga simbolet e tij. Rreth viteve 1780 me përkujdesjen e Ahmet Kurt Pashës, nga urë druri në pjesën e sipërme, ajo u ndërtua e gjitha prej guri. Ajo u rindërtua përsëri duke marrë pamjen që ruan sot, me parmakë betoni, në vitin 1922 nga bashkia e qytetit. Është 129,3 m e gjatë, 5,3 m e gjerë, ngrihet 10 m mbi lumë dhe ka 7 harqe me hapësira 9 deri 16,7 m.
Disa kapitole dhe kolonada dëshmojnë se në Berat kanë ekzistuar kisha paleokristiane të shekujve IV–VI (Shën Todri). Ndër kishat më të bukura të ndërtuara në shekujt XIII-XIV janë : Shën Mari Vllaherna, Shën Triadha dhe Shën Mëhilli. Në Berat ka edhe një numër ndërtesash të fesë islame, me vlera të shquara arkitektonike e artistike, si : teqeja e Helvetive, Xhamia e Beqarëve, Xhamia e Plumbit, etj. Këto kisha, xhami dhe ndërtesa të tjera urbane, sidomos ansamblet e lagjeve Mangalem, Kala e Goricë, janë perla të arkitekturës mesjetare. Nga përshtypja e veçantë që të krijon ansambli i Mangalemit, Berati është quajtur edhe qyteti i një mbi një dritareve.

Në Berat është gjetur një vepër e rrallë, epitafi i Glavinicës, një krijim i mirënjohur i vitit 1373, i qëndisur në ar, argjend e mëndafsh, që tregon Krishtin e vdekur të kurorëzuar, të rrethuar me shkrime greke.
Kishat e Beratit janë të zbukuruara me piktura të stilit bizantin e pas-bizantin, të krijuara nga artistë të ndryshëm të shekujve XII-XIV dhe nga mjeshtrat e shekullit XVI: Onufri dhe biri i tij Nikolla. Katedralja e Shën Marisë shquhet për ikonostasin e saj, të gdhendur në dru të larzuar me ar, një vepër artistike e cilësisë së parë.
Me një fanatizëm të denjë që të quhet i shenjtë, në Berat janë ruajtur dëshmi dorëshkrimore, të cilat dëshmojnë nivelin veçanërisht të lartë të kulturës së qytetit. Më e rëndësishmja nga këto dëshmi është Kodiku i Purpurt (Codex Purpureus Beratinus ) i shekullit VI, i shkruajtur në pergamen të purpurt. Ai është një nga katër kopjet e vetme të gjetura në të gjithë botën. I dyti është Kodiku i Artë (Codex Aureus) i shekullit IX, i shkruajtur në pergamen me shkronja ari. Që të dy këta kodikë përmbajnë pjesë nga ungjijtë të shkruajtura në greqishen e vjetër. Këta kodikë u rizbuluan në kështjellë në 1972 dhe ruhen sot në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Në malin e Tomorit, qysh nga viti 1996, një zonë prej 4.000 ha është shpallur Park Kombëtar. Për nga numri i vizitorëve ai renditet i dyti në vend, pas Parkut Kombëtar të Dajtit.

Turizmi

Berati është një qytet që vizitohet në c’do stinë të vitit.Janë visitor vendas dhe të huaj.Pamja interesante dhe e veçantë e qytetit,vlerat kulturore dhe historike të tij,mikëpritja dhe gastronomia,janë vlera të patjetërsueshme të këtij qyteti. Tradicionalisht në Berat vizitori ka gjetur mikpritje të veçantë, përjetimin e një ambienti të këndshëm e shlodhës, rastin që të shijojë një kuzhinë karakteristike tradicionale të kombinuar me atë moderne, ku përfshihen ullinjtë e famshëm, mishi i qengjit dhe ai i gjelit të detit dhe verërat e prodhuara nga vreshtat rreth qytetit.
Dega më e zhvilluar e turizmit deri më tani ka qenë punime të artizanatit. Artizanati, për qytetin është një vlerë e trashëguar e cila mirëmbahet edhe sot në Berat në disa gjini, si: gdhendje në dru qëndistari, punime në argjend dhe në metale të tjera, punime në kashtë, gdhendje në pllaka guri, punime dekorative me gur etj.
Vitet e fundit ka një rigjallërim të ketyre mjeshtërive. Vizitori mund të gjejë e mund të blej në disa dyqane gdhendje me pamje karakteristike të Beratit. Punimet e disa prej mjeshtrave janë shpërndarë edhe jashtë vendit. Turizmi është një ndër drejtimet më premtuese të zhvillimit ekonomik të Beratit. Qyteti trashëgon nga e kaluara një varg të gjatë e të pasur vlerash historike, kulturore, etnografike, arkitektonike e të besimeve, të tilla që përbëjnë një potencial të konsiderueshëm për turizmin. Me burimet turistike të qytetit është e mundur që të zhvillohet turizmi familiar dhe ai i organizuar. Në disa zona të rrethit (Tomor) mund të zhvillohet turizmi malor me shumë aspekte brenda tij, si edhe gjuetia.
Tashmë vërehet se komuniteti është ndërgjegjësuar në shkallë të ndjeshme për këto vlera, por akoma nuk janë gjetur rrugët adekuate për futjen e shpejtë në eficiencë të këtyre burimeve. Ka shumë për të bërë në drejtim të restaurimit e ruajtjes së vlerave të trashëguara, në sigurimin e infrastrukturës së nevojshme urbane dhe në promovimin turistik të zonës.
Në Sesionin e 32-të të Komitetit të Trashëgimisë të UNESCO-s të zhvilluar në Kanada më 8 korrik 2008, Berati u regjistrua si sajt i trashëgimisë botërore.
Berati ndodhet 120 km larg kryeqytetit – Tiranë, 92 km larg Durrësit dhe 85 km larg Vlorës. Pozicioni gjeografik është shumë i favorshëm për transportin e tranzitin si edhe për komunikimin ekonomiko-shoqëror me shumë rrethe të vendit. Berati me anë të largësive 40-50 km komunikon direkt me 6 rrethe të vendit: Lushnje Fier, Memaliaj, Këlcyrë, Çorovodë , Kuçovë,Elbasan .I vetmi qytet që i afrohet Beratit për nga shkalla e komunikimit me të gjithë perimetrin e tij është Elbasani, i cili komunikon direkt me 5 rrethe. Nga analiza të tilla del se Berati është potencialisht qendra më e madhe e kryqëzimit të rrugëve dhe kalimeve në territorin e vendit. Berati është ngritur në një pozicion gjeografik të mrekullueshëm klimaterik, me aftësi komunikimi, tranziti, prodhimi e përpunimi që rrallë i ka ndonjë qytet tjetër. Aktualisht Berati ka vetëm një dalje me rrugë kombëtare, atë që e lidh me Lushnjen e që prej aty degëzohet për Fier-Vlorë e Durrës-Tiranë. Lidhjet e tjera janë me rrugë dytësore, me parametra teknikë të ulët e të pamirëmbajtura. Ndërtimi i segmenteve të tjerë rrugorë, sipas studimeve të ndryshme, do të përmirësonte komunikimet me zona të tjera, duke hapur mundësi për një zhvillim më të shpejtë dhe intensiv të Beratit.
Qyteti i Beratit ose qyteti i “një e mbi një dritareve” përbën rastin më unikal të një qyteti turistik, që pret e përcjell turistë gjatë gjithë stinës së vitit. Kjo për arsyen e thjeshtë, sepse ndryshe nga shumë qytete të tjera, të cilat kushtëzohen nga periudha e plazhit, Berati ka një turizëm kulturor në gjithë stinët e vitit.
Harta e ekoturizmit dhe ajo e turizmit kulturor është mjaft e pasur me vlera që ndoshta u mungojnë edhe qyteteve më të vjetra të botës.

Legjenda

Dy djem të rinj, të bukur dhe të pashëm jetonin dikur këtyre anëve. Njëri quhej Tomorr dhe tjetri Shpirag. Të dy ishin të dashuruar marrëzisht me të njëjtën femër: Zanën e maleve, e cila nuk mundi të vendoste as për njërin e as për tjetrin
Historia e dashurisë zgjati shumë, derisa të dy djemtë rrëmbyen armët dhe dolën në shesh të mejdanit për ta zgjidhur e mbyllur këtë histori. Shpiragu ishte i armatosur me topuz ndërsa Tomorri mbrohej me një kamë të mprehtë.
Dylyftimi zgjati shumë. Tomorri me kamën e tij i shkaktoi shumë plagë Shpiragut duke e bërë vija – vija, ndërsa Shpiragu e goditi Tomorrin fort me topuzin e tij duke i hapur shumë gropa.
Zana e maleve që ndiqte luftën, nuk mundi të duronte dot këtë tragjedi që po ndodhte për shkak të saj. E shkrehur në lot, ajo iu lut perëndive që të ndalonin këtë dyluftim mizor. Perënditë ndërhynë duke ngrirë gjithçka. Trupat e dy djemve u shndërruan në dy male.Ndërsa lotët e vajzës u bënë një ujëvar e rrëmbyeshme që krijoj lumin Osum.
Po të shikohet me kujdes, Tomorri edhe sot ruan në trupin e tij gropat e shkaktuara nga topuzi i Shpiragut, ndërsa Shpiragu ruan ende vijat e shkaktuara nga shpata e mprehtë e Tomorit.Lumi i Osumit që kalon poshtë këmbëve të kalasë, nuk është gjë tjetër veçse lumi i lotëve të derdhur nga zana e maleve, lot që në emër të dashurisë nuk shteruan kurrë./ATSH

Cilat janë shpellat më misterioze në botë

Gadishulli Yucatan në Meksikë është një tokë e rrafshët ku nuk buron asnjë lum dhe shiu rrëshqet me shpejtësi për në det. Toka është e mbushur me të çarat e rrethuara me barishte – kenote – siç quhen nga vendasit, ku çatitë dhe shpellat nëntokësore janë shembur. Për shekuj me radhë, këto të çara u kanë siguruar vendasve ujë të pijshëm të freskët dhe vështirësia për të hyrë në shpellat poshtë tyre ka joshur shumë më aventurierët, edhe pse sfida e vështirë fizike nuk të jepte garanci se deri ku mund të arrije. Megjithatë, vitet e fundit zhvillimet teknologjike në pajisjet për zbulimin e ujërave nëntokësore e kanë bërë këtë sfidë disi më të lehtë për zhytësit që të eksplorojnë rrjetet dhe tunelet e errëta që degëzohen poshtë të çarave dhe dalëngadalë kanë filluar të zbulohen raportet rreth kësaj bote të errët nëntokësore dhe të fshehtat e saj rreth botës njerëzore dhe shtazore. Arturo Gonzales, një biologjist meksikan dhe arkeolog i ujërave nëntokësore që punon për Institutin Kombëtar të Antropologjisë dhe Historisë, vendosi të ndërmarrë ekzaminime sistematike të shpellave nëntokësore në vitin 1999. Ai punoi bashkë me një skuadër specialistësh duke përfshirë zhytës shpellash, arkeologë, paleontologjistë dhe fotografë, të cilët do të përballeshin secili me zhytje teknikisht të vështira dhe fizikisht të rrezikshme prej gjashtë orësh. Skuadra multidisiplinare nxori tre skelete njerëzorë nga thellësitë e shpellave dhe më pas i studiuan dhe analizuan ato me kujdes. Ajo çfarë gjetën, tronditi komunitetin shkencor. Skeletet janë më të vjetër se çdo mbeturinë tjetër të trupave njerëzorë në Amerikë. Njëri nga ato u vlerësua në mënyrë të veçantë nga laboratorët e jashtëm, të cilët thanë se bëhej fjalë për një skelet 11.600 vjeçar. Për më tepër, këto skelete duket se nuk kanë asnjë ngjashmëri me fiset Maja, të cilët sundonin rajonin mijëra vjet më parë, mbetjet dhe artikuj e të cilëve janë gjetur afër të çarave të kenote-ve. Sipas Gonzales, skeleti i ri i gjetur ka morfologji kafkore të ngjashme me njerëzit e Azisë Lindore. Zbulimet po detyrojnë komunitetin shkencor që të ndryshojnë teoritë e tyre se kur dhe si njerëzit e parë udhëtuan për në Amerikë. “Ajo çfarë ne kemi gjetur është vetëm një pjesë e misterit të evoluimit njerëzor”, – thotë 44- vjeçari Gonzales, i cili ka qenë drejtori i Muzeut të Shkretëtirës në Meksikën Veriore të Santilos që në vitin 2002. “Por ka ende shumë pjesë që i mungojnë enigmës tonë. Në kemi njërën pjesë të rëndësishme, por që nuk përputhet me fakt tjetër ekzistues në mënyrë që të na ndihmonte të kuptonin se si paraardhësit tanë kolonizuan Amerikën”. Gonzales ka mësuar zhytjen si pjesë e studimeve të tij në universitetin e Biologjisë, por ka qenë një dokumentar e “National Gedographic” rreth zbulimit të një oxhaku antik 30 metra poshtë sipërfaqes nga eksploruesi i ujërave nëntokësore James Coke, ajo që e frymëzoi më shumë. ”Për mua kjo ishte e pabesueshme, – tha Gonzales. – Shpellat, këto hapësira të mëdha nëntokësore që për shumë njerëz janë si gjiri i mëmës tokë, më kanë magjepsur gjithnjë. Kur pashë dokumentarin rreth këtij oxhaku të gjetur nëntokë, fillova të udhëtoja drejt këtyre vendeve, pasi doja t’i eksploroja personalisht. Arritëm të njiheshim me James Coke, një pionier e eksplorimit të këtyre vendeve dhe ai na vuri në dijeni të disa zbulimeve të tjera që kishte bërë. Falë tij, që në vitin 1999 kemi filluar të bëjmë zbulime të mëdha rreth historisë antike të Amerikës”. Zhytësit e shpellave dhe speleologjistët kanë eksploruar sistemin e shpellave nëntokësore të Yucatan që në vitin 1980, duke mbledhur prova gjeologjike, arkeologjike dhe paleontologjie të cilat tashmë janë thelbësore për Gonzales. Thellë në shpella, ai dhe kolegët e tij kanë gjetur fosile 10.000 deri në 60.000-vjeçare, duke përfshirë edhe ato të gamileve të zhdukura, armadilos gjigantë dhe kuaj. Të gjitha i përkasin epokës pleistocene atëherë kur Yucatan ishte i mbuluar jo me pyje të ulëta, por me toka bari të thatë. Në të paktën njërën nga shpellat nëntokësore në veri të Tulum, afër brigjeve të Karaibeve, zhytësit gjetën një tjetër oxhak antik, karboni i të cilit dëshmonte për gjurmë të kockave gjysmë të djegura të gamileve, gjë që tregon se njerëzit parahistorikë të asaj kohe mbijetonin duke ngrënë mishin e një kafshe, specia e së cilës është zhdukur në fund të epokës së gurit.

Njerëzit
Kur njerëzit parahistorikë gatuanin mishin e gamileve, niveli i ujit ka qenë më shumë se 100 metër më i ulët se sa është në ditët e sotme. Gonzales mendon se këta njerëz mund t’i kenë përdorur shpellat jo vetëm si kuzhina të sajuara, por edhe si rrugë kalimi për tek burimet ujore. Ka gjithashtu prova shumë të besueshme se trupat e vdekur vendoseshin në shpella të veçanta të sipërfaqes së tokës, ndoshta për t’i mbrojtur ato nga grabitqarët. Më pas një ndryshim i menjëhershëm i klimës globale bëri që të rritet niveli i ujit, gjë që bëri që të përmbyten banesat, lidhjet nëntokësore të ujit të pijshëm, vendet e përdorura për varrime si dhe kuzhinat për të qëndruar të fshehura deri në ditën kur eksploruesit e shpellave i zbuluan disa mijëravjeçarë më vonë. Fondet nga çmimi “Rolex”, do të lejojnë Gonzales që të furnizojë skuadrën e tij për të paktën një vit tjetër kërkimesh intensive. Grupi ka qëllimin që të përqendrohet në shpellën Chan Holl ku është zbuluar edhe një skelet i katërt, por ende nuk është tërhequr lart dhe nuk është analizuar. Sa më shumë skelete të ekzaminojnë, thotë Gonzales, aq më shumë mund t’i krahasojmë ato me mbetjet e trupave njerëzorë të tjerë të ngjashëm me to në pjesë të tjera të botës. Ndoshta një ditë do të arrijmë të zbardhin njëherë e mirë enigmën e historisë së njerëzimit. Përtej këtyre fakteve, Gonzales thotë se ai dhe kolegët e tij do të përqendrohen për të kuptuar mënyrën e jetesës së këtyre njerëzve të lashtë, veçanërisht për mënyrën se si përdornin shpella të ndryshme për qëllime të ndryshme. Ata mendojnë se këto të dhëna do t’i drejtojnë që të kalojnë përtej analizave të kockave për tek kuptimi më i mirë i jetës parahistorike. Këto zbulime kanë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme interesin për kenote-t, duke bërë që Gonzales dhe skuadra e tij të punojnë bashkë me një tufë vendasish, të cilët vijnë për të mbrojtur thesaret e rralla të vendit të tyre nga dëmtimet dhe grabitjet. Skuadra gjithashtu ka shtyrë banorët rreth e qark që të ngrejnë zërin e tyre lart kundër ndotjes së ujërave nëntokësore nga zhvillimi i turizmit të pakontrolluar përgjatë të ashtuquajturës Riviera Maja. Kenote-të janë të pasura gjithashtu me rezerva të mëdha uji të pijshëm, megjithatë prej tyre thithen çdo ditë miliona litra ujë, duke tejkaluar kështu raportin e tyre natyral të rigjenerimit në disa pjesë të gadishullit. Në disa zona të humbura, kenote-të përdoren si depozita të mbeturinave, duke u mbushur me ndotje organike dhe kimike.

Shpellat misterioze
Afër paralelit 30 gradë në gjerësinë veriore të globit ka shumë vende misterioze, si trekëndësha djallëzorë, piramida, buste me trup luani dhe me kokë njeriu të Egjiptit si dhe ishuj të Ditës së Easterit të Kilit etj. Ju mund ti njihni këto vende të njohura. Por, ndoshta ju nuk dini se në Kinë afër paralelit 30 të gjerësisë veriore të globit ka një vend misterioz? Shpellat misterioze Huashan. Ky vend nuk është shumë larg nga malet Huanshan, vend turistik të Kinës jug-lindore. Këto janë shpellat artificiale me përmasat më të mëdha dhe më misterioze deri tani në Kinë. Duku u nisur nga malet Huanshan, një nga pikat e njohura piktoreske të Kinës, drejt jugut, pas dy orësh ne arritëm në një zonë të madhe malore dhe kodrinore. Në këto kodra që janë shtrihen në 7 kilometra, në pranverë dhe vjeshtë, çelin kudo lule të bukura dhe të larmishme. Për këtë arsye, vendësit e quajnë këtë vend “mali i luleve”. Shpellat ku ne do të shkojmë, janë nën këtë mal lulesh. Sipas kërkimeve arkeologjike, koha e hapjes së këtyre shpellave i takon 1700 vjetëve më parë. Midis 36 shpellave të zbuluara, shpella më e madhe është 12 mijë metra katrorë dhe ngjan si një fushë basketbolli. Udhërrëfyesja vendore zonjusha Shao Shuanjuan i tha korrespondentit se ndërtimi i këtyre shpellave është bërë brenda këtij mali që është pothuajse bosh. Por deri tani misteri është se ku kanë shkuar gurët e dalë për hapjen e shpellave.
Për arsye se kjo shpellë është aq e madhe, gurët e nxjerrë ishin të shumtë. Ne kemi bërë matje. Me këta gurë të nxjerrë nga shpella, mund të ndërtohej një rrugë prej mbi 240 kilometrash. Por këto gurë të nxjerrë në disa milionë metra kub janë zhdukur dhe ky është bërë një nga misteret më të lashta.

Shpella e zezë
Shpella e Pëllumbasit apo e njohur ndryshe si Shpella e Zezë dhe është gjykuar prej studiuesve si një nga qendrat arkeologjike më me vlerë në Shqipëri, për shkak të zbulimeve që janë bërë aty. Vetëm në fazën e parë të studimit, janë gjetur 100 fragmente enësh dhe disa kocka kafshësh të cilat i takojnë epokave të ndryshme. Mendohet të ketë qenë një nga shtëpitë më të hershme të paraardhësve tanë te periudhës së neolitit, d.m.th. 10000 vjet më parë. Në atë hapësirë, që paraprihet nga një korridor i gjatë, e që vazhdon me një “sallon” të lartë 15-20 metra, ata kanë ndezur zjarr, kanë gatuar e latuar veglat e para të punës. Këtë e tregon materiali i bollshëm arkeologjik i gjetur në fazën e parë të gërmimeve, i cili i përket periudhave të ndryshme të zhvillimit njerëzor, duke filluar që nga neoliti, eneoliti, tek periudha e bronzit dhe hekurit. Shpella e Zezë i përket periudhës parahistorike dhe është një nga 6 shpellat karstike që gjenden në Evropë, duke paraqitur vlera shkencore, arkeologjike, kulturore dhe turistike. Shpella e Zezë ndodhet rreth 2 km në verilindje të fshatit Pëllumbas, prej nga ka marrë edhe emrin, në krah të majtë të lumit Erzen dhe 27 km në juglindje të Tiranës. E vendosur në faqen e Malit Pëllumbas, 350 m mbi nivelin e detit, shkëmbinjtë formojnë një strehë të madhe dhe të veçantë, që zgjatet duke formuar një tunel 70-80 m. të gjatë. Sipas arkeologut të mirënjohur, Myzafer Korkutit, në ambientin qendror, ku ndodhen edhe degëzime të shumta, përgjatë miliona vjetësh janë formuar stalaktite dhe stalagmite të shumëllojshme.

Misteri i shpellave Huashan
Shpella numër 35 është 170 metra e thellë dhe ka një sipërfaqe prej afro 12 mijë metrash katrorë dhe është shpella më e madhe e të gjithë zinxhirit të shpellave të malit Huashan. Hyrja e kësaj shpelle nuk është e madhe. Por, pas një kanali të ngushtë afro 20 metra të gjatë, të del para syve një pallat nëntokësor madhështor. Në këtë pallat nëntokësor ka 26 shtylla guri mbi 10 metra e trashë. Këto shtylla luajnë rolin e rëndësishëm të mbajtjes së peshës. Afër paralelit 30 gradë në gjerësinë veriore të globit ka shumë vende misterioze, si trekëndësha djallëzorë, piramida, buste me trup luani dhe me kokë njeriu të Egjiptit si dhe ishujt e Pashkës të Kilit etj. Këto vende janë ndoshta të dëgjuara nga shumë njerëz dhe janë bërë shumë studime dhe ekspedita për të zbardhur misterin e tyre. Janë ngritur në ajër teori mbas teorish, shumica e të cilave të pabazuara dhe asnjëherë nuk është arritur në një konkluzion të mirëqenë dhe të pranuar botërisht. Megjithatë, ekziston edhe një mister tjetër që ndoshta ka qenë më pak i përfolur dhe vazhdon ende të mbetet disi në hije. Në Kinë afër paralelit 30 të gjerësisë veriore të globit ka një vend misterioz dhe janë shpellat misterioze Huashan. Ky vend nuk është shumë larg nga malet Huashan, vend turistik i Kinës jug-lindore. Këto janë shpellat artificiale me përmasat më të mëdha dhe më misterioze deri tani në Kinë. Duku u nisur nga malet Huashan, një nga pikat e njohura piktoreske të Kinës, drejt jugut, pas dy orësh mund të arrish në një zonë të madhe malore dhe kodrinore. Në këto kodra, të cilat shtrihen në një sipërfaqe prej shtatë kilometrash, në pranverë dhe vjeshtë, çelin kudo lule të bukura dhe të larmishme. Për këtë arsye, vendësit e quajnë këtë vend “mali i luleve”. Shpellat misterioze gjenden pikërisht nën këtë mal gjigant dhe piktoresk me lule.
explorerunivers.com

Mrekullia alpine e Valbonës

Nga Gjon NEÇAJ

Për të shkuar në “Fushën e Gjësë”, në Valbonë, duhet të udhëtosh deri në 6 orë nga kryeqyteti, në çfarëdo drejtimi që të nisesh. Nga Bajram Curri për në “Fushën e Gjësë” janë 25 kilometra përgjatë luginës së lumit Valbonë. Në aksin Tiranë-Bajram Curri, turistët kanë mundësinë të shijojë një udhëtim me traget nëpër liqenin e Komanit. Pamjet fantastike të shpateve malore që bien thikë mbi ujin kristal të liqenit të Komanit, janë të paharrueshme. Në ditët e dimrit, bardhësia e dëborës mbi majat përngjatë liqenit, një peisazh të rrallë dekorit natyror.


Udhëtimi i vështirë
Fshatrat në të dy anët e liqenit dhe kullat e vetmuara prej guri, banorët e të cilave lidhen me njëri-tjetrin vetëm nëpërmjet varkave të vogla, janë një tjetër dekor interesant i udhëtimit. Përrenjtë që gjarpërojnë dhe luginat e vogla që lidhin liqenin me pellgun e Drinit, krijojnë fjorde të vegjël që futen në brendësi të masiveve malore. Gjatë udhëtimit me traget shikon dhe dy digat gjigante të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit. Udhëtimi me traget zgjat dy orë dhe kushton 350 lekë, ndërsa udhëtimi nga Tirana në Bajram Curri me furgonët e linjës, kushton 1000 lekë. Mes pamjeve befasuese arrin në Dushaj, vendi ku Valbona përzien ujërat e saj me ato të Drinit. Gjatë Luftës së Parë Botërore, një ushtarak i lartë austriak ka shkruar në kujtimet e tij se, “nëse Zoti do të kishte shtëpi në tokë, patjetër do ta kishte ndërtuar aty ku bashkohet Drini me Valbonën, pra në Dushaj”. Por fatkeqësisht udhëtimi nëpër liqenin e Komanit ka kohë që nuk funksionon dhe dy tragetet janë të ankoruar prej kohësh në Dushaj. Asnjë masë për të rinisur funksionimin e linjës me traget Koman-Fierzë, ndërsa kërkesat e turistëve vendas dhe të huaj janë të vazhdueshme.

 Rrugët e tjera
Për në Tropojë, tashmë udhëtohet edhe nga qafa e Malit, natyrisht kur nuk ka dëborë, duke soditur natyrën e bukur të bjeshkëve të Pukës. Udhëtimi tjetër kryhet nëpërmjet autostradës nëpër Kosovë, duke udhëtuar nëpër tunelin e Kalimashit, nga ku soditet peisazhi i bukur alpin nëpër bjeshkët e Mirditës dhe kullat karakteristike të atyre anëve. Nga Bajram Curri në drejtim të Valbonës shkohet me mjete fuoristrada, por dhe me furgonë të linjës, bileta e të cilëve kushton 200 lekë. Këto zona kanë një gjuhë karakteristike mes gegnishtes së vjetër dhe shqipes standarde.

Nusja amerikane
Veçojmë se bujaria nuk e braktisi kurrë Tropojën. Në Valbonë ka dy-tre vjet që banorët e atyshëm kanë ndërtuar hanet e tyre ku strehojnë gjatë stinës së verës turistët e shumtë të huaj që vërshojnë atje, por edhe vendas nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe nga Kosova. Arbeni, njëri nga pronarët e suksesshëm të turizmit dimëror, thotë për “Dita” se dy-tre vitet e fundit në Valbonë kanë vërshuar vizitorët edhe në stinën e dimrit. Kurse nusja amerikane e martuar në Valbonë, Catherine Bohne, shprehet se këtu, mes këtyre bjeshkëve mahnitëse, sidomos gjatë dimrit, turistët mahniten jo vetëm me peisazhin alpin, por edhe me kafshët e egra që rriten në këtë zonë, ku pothuajse janë bërë të buta, si ketri, lepuri, ariu, etj. “Unë,-thotë ajo,-disa prej tyre do mundohem që t’i zbus”. Infrastruktura rrugore është shumë e dobët. Ka mbi tre vjet që ka filluar riskonstruksioni i rrugës automobilistike, zgjerimi dhe asfaltimi i saj, por prej muajsh janë pezulluar punimet. “Vështirësitë e udhëtimit ua lehtësojnë turistëve mikpritja dhe bukuritë natyrore të këtyre anëve”, thotë Kola, banor i fshatit Gjelaj. Fshati turistik  në Fushë të Gjësë ka thithur turistë të shumtë, ndonëse akoma shërbimi, akomodimi dhe hoteleria janë në hapat e para për këta biznesmenë të turizmit, sidomos për turizmin dimëror.  

Çmimet dhe ushqimet
Mirashi disponon bar-restorant me 200 vende dhe 3-4 vileta prej druri me 30 dhoma. Aty gatuhet ushqimi tradicional i zonës, si mishi i kecit, i qingjit (ferlig), pastërma, fli (lloj byreku), pite me maze, maza, leqeniku, kaçimaku, qulli me tamël, petullat, trofta e freskët, kafe turke, raki rrushi, etj. Çmimet, krahasuar me stinën e verës nuk kanë ndryshuar. Një pjatancë me mish keci kushton 750 lekë, me mish qingji 800 lekë, një racion maze kushton 400 lekë, kurse sallatrat deri në 300 lekë për një person. Po ashtu edhe pastërma dhe ferligu kanë çmime të arsyeshme. Mishi i bagëtive të kësaj zone, është ndër më të mirët në Tropojë. Aty serviret mish i freskët i peshkut (troftë dhe kushton 700 lekë një pjatancë). Kurse dhomat me dy shtretër janë 20-25 euro, dhoma shtrat çift e një tek 30 euro, kurse ujë e energji elektrike ka 24 orë. Parkimi është i siguruar dhe këtë vit ka fushë volejbolli dhe kënd lojërash për fëmijë.

Hanet
Në Valbonë ka mbi 12 hane që u shërbejnë turistëve në çdo stinë të vitit. Dy vitet e fundit, thotë njëri nga pronarët e haneve, Lazri, ne po akomodojmë gjatë periudhës së dimrit vizitorë të shumtë nga brenda e jashtë vendit. Gjatë ditës organizohen piknik bjeshkëve, duke soditur majat e mbuluara me borë dhe duke shijuar ushqimet karakteristike të zonës në periudhën e dimrit, si pastërma, gështenja të ziera ose të pjekura (porogaça), e deri te turshitë karakteristike, domate, tranguj, speca, lakra e salcë kosi,duke mos harruar pijen tradicionale, rakinë e rrushit dhe të kumbullës (shlivën). Në këtë stinë mund të shijojmë kënaqësinë që jep zierja e rakisë, një mënyrë tradicionale me kazanin prej bakri në vendin e caktuar me dru lisi, qarri ose frashëri.




Vende që duhen vizituar

Turizmi është zë i rëndësishëm i ekonomisë së shumë vendeve dhe Toka ofron vende përrallore, diku nga dora e natyrës, diku vepër e njeriut. 

Më poshtë po ju sjellim një listë të qyteteve dhe vendeve turistike që nuk duhen humbur, nga Taipei në Tajvan e deri në Dublin në Irlandë…për të gjithë ata që kanë mundësi, sepse një shprehje e urtë popullore thotë ‘shtri këmbët sa ke jorganin’.

Ishujt Fixhi. Shquhen për plazhet mahnitëse me ujëra të kristalta, por një detaj i rëndësishëm është edhe mikpritja apo tregjet e mangove dhe arrave të kokosit që mund të shijoni teksa hidheni nga njëri plazh në tjetrin.



Taipei, Tajvan. I vendosur në ekstremin verior të ishullit dhe buzë lumit Tamsui. Këshillohet për shëtitjet përrallore në tregjet e natës; mijëra karroca dhe kioska, dëshmitare të një tradite, ushqimi dhe mode…dhe më e rëndësishmja, të gjitha me një cmim të arsyeshëm.



Portland, Oregon në SHBA. Vendoset në Brigjet Perëndimore të SHBA, mes lumenjve Willamette dhe Columbia. Përvec bukurive urbane këshillohet edhe një shëtitje në Forest Park për t’u mbushur me frymë, ashtu si vetëm Portland mund ta ofrojë.



Rio de Janeiro, Brazil. Është njëri prej qyteteve më të bukura në botë falë vendosjes gjeografike dhe bekimit me një plazh të kristaltë, ishuj të vegjël dhe pyjeve të ashpra. Por vec bukurive natyrore një kënaqësi më vete është edhe vizita në muze, kishat apo ndërtesat e tjera historike. Por përvec këtyre, mbetet edhe një qytet shumë i rrezikshëm për turistët dhe këshillohet një dozë e madhe kujdesi.



Dublin, Irlandë. Është njëri prej destinacioneve kryesore në Europë. Muzetë e panumërt dëshmojnë pasurinë kulturore dhe historike të këtij qyteti, për të mos humbur edhe “Guinness Storehouse” parajsa për të gjithë të dashuruarit pas birrës.



Bangkok, Tajlandë. Konsiderohet edhe “Venecia e Lindjes”. Përmbledhj energjinë, kaosin dhe bukurinë. Lista e gjërave apo e vendeve të që mund të vizitosh në këtë qytet është tejet e gjatë; të panumërt tempujt budistë, shëtitjet me barka apo të provosh kuzhinën e mrekullueshme…për të mos harruar cmimet, tejet të ulta.



Kuala Lampur, Malajzi. Qytet në mes të të cilit gjejnë strehë edhe majmunët. Strehë e dhjetra kulturave të ndryshme. Për të mos u humbur qendra tregtare Bukit Bintang dhe tregjet e tjera të panumërta që ofrojnë produkte artizanale vendase. Përvec gjithë këtyre cmimet janë ekstremisht të lira dhe qyteti relativisht i sigurtë.



Reykjavik, Islandë. Qendra e kulturës, jetës dhe ekonomisë së islandezëve. Vetë qyteti dhe rrethinat e tij ofrojnë përvoja të paharrueshme si ujërat termale të Blue Lagoon. Konsiderohet si njëri prej qyteteve më të sigurta në Europë. Sa për cmimet…



Johansburg, Afrika e Jugut. Është një rezervat kulturash, dyqanesh, lokalesh dhe aventurash në natyrë. Për të mos u humbur Carlton Centre, muzeu kushtuar aparteidit, për të kuptuar më mirë historinë e qytetit dhe përvoja në natyrën e egër.



Stokholm, Suedi. I shpërndarë në 14 ishuj të vegjël në Detin Balltik me siguri që ka shumë se cfarë të ofrojë. Këshillohen shëtitjet natën për të qenë dëshmitar i panoramave shumëngjyrëshe që të ofron dhe për të mos u humbur peshku i freskët në “Nystekt Strommingvagnen”.



San Ignacio Town, Belize. Për këdo që ka para dhe kohë këshillohet me patjetër të vizitohet Cahal Pech dhe sigurisht, një shëtitje me kanoe në lumin Macal. Për të mos u humbur edhe vizita në rrënojat antike të fiseve maja në Belize.



Siem Reap, Kamboxhia. Asnjë fotografi apo histori nuk mjafton për këtë qytet. Është një vend që duhet jetuar personalisht. Agimi në tempullin Angkor Wat është më magjepsësi në botë dhe për të mos harruar edhe tempujt e panumërt të zonës.



/ Top Channel

Zbulohet një qytet kinez nën ujë (VIDEO)


Liqeni Qiandao është një liqen artificial në rajonin Chun’an, në Kinë. Pikërisht aty, nën ujërat e liqenit, arkeologët kanë zbuluar rrënojat e një qyteti.
Qyteti i quajtur “Lion City”, gjendet mes 26 dhe 40 metrave thellësi. Mendohet se aty mund të kenë jetuar rreth 290.000 persona për më shumë se 1.300 vjet.
Qyteti është zbuluar në ujërat e liqenit në vitin 1959, kur u inaugurua një central hidroelektrik në lumin Xin’an.

Kiribati: Ishulli i vockël që vuan mbipopullimin

Zinxhiri i ishujve të Kiribatit në Paqësor është një nga vendet më të mbipopulluara të planetit. Gazetari Julian Siddle shkoi atje për të parë se si po e trajton ky ishull problemin e mbipopullimit


Julian Siddle, BBC



Kiribati ndoshta është më shumë i njohur si një nga vendet që ka më shumë gjasa të zhduket si pasojë e ngrohjes globale. Shumica e njerëzve që jetojnë në ishullin kryesor të Kiribatit – Tarava e Jugut – mbështeten te detet përreth për të nxjerrë jetesën.


Oqeani është gjithashtu edhe kërcënimi më i madh për mbijetesën e tyre në të ardhmen: nuk ka asnjë copë tokë në këtë ishull që të gjendet më shumë se 2 metra mbi nivelin e detit, kështu që rritja e nivelit të detit mund të jetë shfarosëse për ta.


Por kjo nuk është e vetmja sfidë me të cilën përballet ky komb në Paqësor. Ai shtrihet në mbi 3.5 milionë kilometra katrorë oqean. Kiribati përbëhet nga shumë ishuj të përhapur në një territor me përmasa të ngjashme me Indinë, por shumica e popullsisë është e përqendruar në Taravën e Jugut.


Kjo copë e vogël toke është shtëpia e 50 mijë njerëzve – është e mbipopulluar me densitet të ngjashëm me Tokion apo Hong Kongun.


“Ne kemi një klimë relativisht të qëndrueshme për momentin, por një ndryshim në sjelljen e motit mund të na vendosë në brezin e hurikanëve, të cilat mjaftojnë për të na fshirë nga harta”, thotë Presidenti i Kiribatit, Anote Tong.


Ai ka bërë prej kohësh fushatë në arenën ndërkombëtare për të financuar zhvillimin e Kiribatit për të ndihmuar në rritjen e rezistencës ndaj ndryshimit të klimës, si dhe për ta zhvendosur popullatën gjetkë në rast se rritja e nivelit të detit i përmbys këta ishuj.


Gjithsesi, ndërsa efektet e ndryshimit të klimës mund të duken të largëta, ndikimi i kaq shumë njerëzve të përqendruar në një vend kaq të vogël është më i afërt.


Çështjet kyçe janë ato me të cilat përballen shumë kombe në zhvillim – sigurimi i ujit të mjaftueshëm dhe i kanalizimeve të duhura.


Ndërsa këtu bie shi në mënyrë të rregullt dhe të parashikueshme, fuçitë që nevojiten për të mbledhur ujin e shiut janë të pakta. Një pjesë e madhe e popullatës bazohet te rezervuarët e nëndheshëm dhe një rrjet kanalesh që sjell ujin e shiut në këta rezervuarë.


Këta rezervuarë janë vendosur në seksionin më të egër të ishullit në Bonriki, përreth aeroportit. Dy projekte shkencore po kërkojnë mënyrat që ky ujë i magazinuar të mund të mbrohet.


“Ne kemi vendosur 15 instrumente oqeanografike përreth barrierës koralore për të kuptuar më mirë transformimin e valëve, për të matur lartësinë e dallgëve, fuqinë e rrymave, nivelin e ujit”, thotë Herve Damlamian, një ekspert modelues numerik i bregdetit te Sekretariati i Komunitetit të Paqësorit.


Banorët vendës raportojnë se pirja e ujit tashmë shijon gjithnjë e më i kripur. Projekti i Herve, vlerësimi i mundësisë së përmbytjes së Bonrikit, po përpiqet të masë rrezikun e përmbytjeve: nëse një dallgë mbret (veçanërisht një e lartë), mbulon ishullin, duke dërguar valë që përplasen nga njëri cep në tjetrin, kjo mund të mbushë sistemin e nëndheshëm me ujë deti të papijshëm.


Një projekt tjetër po mat cilësinë e ujit.


“Nëse uji i detit kapërcen majën e ishullit, kjo do të ketë pasoja të menjëhershme katastrofike, duke shkaktuar kripëzim për 15 muaj deri në dy vjet”, thotë drejtori i projektit.


Gjithsesi, presioni demografik është një problem në këtë diskutim.


“Për sa kohë që ne marrim reshje, sistemi do të rifurnizohet, por presioni i popullsisë mbi rezervën prek edhe përmbajtjen bakteriale të ujit – ne kemi kontaminim nga shtëpitë, bujqësia, nga njerëzit që rrisin derra, si dhe nga praktikat sanitare”, thotë ai.


Në pjesë të tjera të ishullit, uji është shumë i ndotur, veçanërisht në zonat ku njerëzit banojnë mbi puse. Pranë qendrave të ishujve, plazhet janë përplot me çdolloj mbetjeje.


“Kur batica është e lartë, ajo duket si një parajsë. Por kur vjen zbatica, sheh degradimin e tmerrshëm të krijuar nga njerëzit”, thotë Klif (Cliff) Julerat, një inxhinier bregdeti në Ministrinë e Punëve Publike të Kiribatit.


Një mënyrë për t’u marrë me problemet e krijuara nga rritja e popullsisë mund të jetë rikthimi te mënyrat e vjetra të jetës, sugjeron Tabao Avaerika, sekretar i Presidentit të Kiribatit.


“Është njësoj sikur të hedhim një hap prapa në histori – por është shumë e vështirë”, thotë ai.


“Ne patëm këtë ide, t’i bindnim njerëzit të hanë babai, është një bimë ushqyese vendëse, por ajo kërkon katër orë punë për t’u gatuar. Buka e orizi janë më të lehtë për t’u gatuar, më të këndshëm dhe më të lirë. Ne gjithsesi kemi nevojë për një ndryshim tërësor mentaliteti. Për të nxitur aktivitetin e qëndrueshëm në ishujt e jashtëm në mënyrë që ato të mos bëhen si Tarava”.


Gjithsesi, të bindësh njerëzit të mos vijnë për të banuar në ishullin kryesor është e vështirë.


Artan Rajit, zëvendëskryetar i ishullit Abaiang, – një zonë më pak e populluar dhe më e gjelbër me popullsi prej më pak se 10 mijë banorë, thotë thjesht: “ajo që ne duam këtu, e kanë ata në Tarava”.


Për njerëzit që përballen me një stil jetese primitiv në ishujt e tjerë të Kiribatit, mbipopullimi dhe mjedisi i ndotur duken një çmim i pranueshëm për t’u paguar. Tarava ka disa dyqane, akses tek ushqimet e importuara, mish të konservuar, oriz dhe qendra shëndetësore.


Pavarësisht rrugëve të mbingarkuara dhe makinave të vjetra, këtu ka edhe një shans për punësim kundrejt pagës – megjithëse vetëm 20 për qind e ishullit ka punë me kohë të plotë.